Ministrja Kushi iu kërkon prindërve mirëkuptim për vitin shkollor: Ku po aplikohet mësimi me turne dhe plani B
Ka pasur diskutime lidhur me zhvillimin e mësimit, në disa shkolla me turne, e ku një orë zhvillohet për 30 minuta. Ministrja e Arsimit Evis Kushi iu bën thirrje prindërve që të tregohen mirëkuptues, duke shtuar se vendimet janë marrë bazuar në situatën aktuale. Ajo thotë se 78 % e nxënësve mësimin e zhvillojnë me një turn në kushte normale, me një orë 45 minuta. Ndërsa 6 % e nxënësve e zhvillon mësimin me katër turne, ku një orë është 30 minuta. A mjaftojnë 30 minuta për një orë mësimi?
Pjesë nga intervista e ministres së Arsimit për News 24:
Nisur nga statistikat javore qoftë dhe ditore, situata ndryshon. Duhet të sqaroj që 78 % e nxënësve mësimin e zhvillojnë më një turn në kushte normale. Ky vendim nuk është standard për gjithë shkollat. Duhet të zbatojmë rregullin: Distanca mes nxënëve. Në shkollat e klasat kur ka shumë nxënës dhe hapësira e klasës është e tillë që nuk mund të rrinë dy nxënës në një bankë, këtu do bëhet me turne. Pra vetëm në këto raste. 78 % e nxënësve e zhvillojnë mësimin normalisht me 45 minuta. Vetëm 6 % e nxënësve mësimin e bëjnë me 4 turne. Nxënësit janë të detyruar të zhvendosen për të zhvilluar mësimin. Në këto raste jemi të detyruar që mësimin ta bëjmë me 30 minuta, prindërit duhet të kuptojnë se mësuesit i duhet të angazhojë jo më 35 nxënës por 15 nxxënës në klasë se aq është numri maksimal në klasë.
Imagjinoni një mësues me 30 a 35 nxënës, sa kohë angazhohet për t’i pyetur. Por me më pak nxënës kohëzgjatja nuk është aq sa dëshironim por në një situatë si kjo e pandemisë mendoj që mësuesit arrijnë të menaxhojnë duke shpjeguar edhe temën e re edhe për të angazhuar nxënësit.
Kemi gjithashtu dhe një praktikë 6 orë për tre lëndë, pra në një ditë bëhen dy orë për një lëndë, përsëri menaxhohet më mirë mësimi. I mirëkuptoj të gjthë prindërit, për vështirësinë, por do ju lutesha të na mirëkuptojnë, se jemi të detyruar t’i ndërmarrim për të mirën e shëndetit.
Procesi i vaksinimit të mësuesve po shkon mjaft mirë, sot kemi 87 % të mësuesve të cilët janë të vaksinuar, nga këta 71 % janë me dy doza pjesa tjetër kanë bërë dozën e parë.
Nëse situata përkeqsohet. A keni skenar B?
I kemi parashikuar edhe vitin e kaluar, e jo më tani që u mësuam tashmë me situatën e pandemisë. Pra ne i kemi të parashikuar gjihtë skenarët, edhe me prezencë fizike të nxënësve edhe të kombinuar disa online disa me prezencë fizike. Shpresoj se me vaksinimin masiv, besoj se nuk po shkojmë më me ekstremin e skenarit për mësimin online. Por gjithsesi jemi të përgatitur.
Sa të sigurt janë dhe nga Komiteti i Ekspertëve se këto masa vlejnë për pandeminë, pa dëmtuar arsimin. Jashtë ka grumbuj me prindërit, nuk është se ka një efekt të madh.
Gjithmonë i referohemi edhe shkencës edhe ekspertëve por edhe praktikave më të mira. Nuk vendosim sipas gjykimit tonë, por konsultohemi mirë sepse janë vendime të vështira se sa më shumë informacione dhe praktika marrim, aq më mirë është.

Mendoni se kjo mënyrë e frenon pandeminë?
Këtë nuk e them unë, e thonë ekspertët. Është përgjegjësi nëse merret një vendim në dëmtim të cilësisë së mësimit, por shëndeti dhe jeta janë prioritet, mundohemi të gjejmë ekuilibrin. I kuptoj prindërit që duan t’i kenë fëmijët afër në shkollën pranë vendbanimit, por në ato shkolla të dëmtuara duhet të ketë zhvendosje. Une i garantoj prindërit që i kemi marrë të gjitha masat.
Po hartojmë buxhetin edhe për shkollat e amortizuara përveç tre qarqeve që janë përfshirë në hartën e rindërtimit. Bashkitë kanë përgjëgjësinë për t’i mirëmbajtur shkollat. Gjatë gjithë muajit gusht bashkitë kanë punuar për të bërë riparimet, lyerjet për të plotësuar ato mangësi, natyrisht jo rikonstruksione siç kanë nevojë disa shkolla por me riparime, gjelbërimin dhe nevoja të tjera që kanë.