Miratohet projektligji për regjistrimin e pedofilëve në Shqipëri, kanë firmosur 22 mijë qytetarë

Pas ngjarjeve tronditëse në Shqipëri, 22 mijë qytetarë morën iniciativën për të firmosur mbi krijimin e Regjistrit Kombëtar të Autorëve të Veprave Penale Seksuale.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim këtë projektligj, gjë që është një ngjarje e madhe”, thotë Iris Luarasi nga Shoqëria Civile, për Top Channel.

Projektligji ka për qëllim monitorimin e autorëve të veprave penale me natyrë seksuale, të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke parashikuar raportimin e të dhënave të caktuara personale, të regjistruara në Regjistrin Kombëtar të Autorëve të Krimeve Seksuale me qëllim: uljen e shkallës së recidivizmit, lehtësimin e hetimit dhe ndjekjes penale për krime që mund të kryejnë në të ardhmen, parandalimin e punësimit të autorëve të krimeve seksuale në vende pune të lidhura me fëmijët, duke ndaluar punësimin e këtyre personave që janë dënuar për vepra penale që lidhen me abuzimin seksual në veprimtari që lidhen me këtë kategori.

Mundëson vlerësimin e riskut dhe menaxhimin e riskut, të sigurojë që organet ligjzbatuese të mbrojnë publikun duke identifikuar vendndodhjen e autorëve të krimeve seksuale dhe duke siguruar mjetet për të monitoruar aktivitetet e tyre.

Në vitin 2020 një artikull investigativ nga gazetari dhe pedagogu Elvin Luku, tregoi se 98 pedofilë janë liruar nga burgu dhe asnjëri prej tyre nuk ishte regjistruar nga sistemi i drejtësisë si tillë dhe se as nuk kishin marrë trajtime mjekësore gjatë qëndrimit në burg.

Prandaj ishte e rëndësishme krijimi i këtij regjistri kombëtar mbi pedofilët, në mënyrë që lista e emrave të koordinohet nga organet kompetente si Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë.

Share With:
Translate »
182 Views