Mister si fëmija 1-vjeç u infektua me HIV/AIDS në Tiranë! 135 bebe që ishin me të në maternitet s’u testuan, ISHP analiza vetëm infermierëve

Përveçse e kanë pranuar që fëmija 1 vjeç me dy prindër negativ, mund të jetë infektuar me HIV/AIDS në sistemin spitalor në Shqipëri, siç dëshmon ky mesazh i shefes së departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Binos dërguar nënës së djalit, autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë neglizhuar ose me qëllim  nuk kanë testuar fëmijët që kanë qenë  të shtruar në të njëjtët kohë dhe të njëjtat pavione me 1-vjeçarin e infektuar. Sipas përgjigjeve që prindërit kanë marrë pasi fëmija i lindur më 8 tetor 2021, u identifikua me HIV AIDS në 2 mars 2022, në një hetim epidemiologjik me kërkesë të tyre, ISHP ka testuar vetëm personelin mjekësor, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ku i sapolinduri qëndroi në reanimacion, dhe në QSUT, ku në kohë të ndryshme fëmija u shtrua në disa reparte.  Por askush nuk i testoi 135 bebet që ishin në maternitet në të njëjtat data me 1-vjeçarin, nga 8 tetori deri në 15 tetor 2021. Raporti i ISHP ndërkohë, nuk tregon se sa është numri i fëmijëve të shtruar në pediatrinë e QSUT-së në periudhat e shtrimeve nga 28 nëntori deri në 2 mars 2022.

“Unë do të vazhdoj përpara sepse kam të gjitha evidencat e mundshme se nuk është kryer hetimi I duhur epidemiologjik sepse siç e bën në periudhën e COVID-it gjurmonin rastet në këtë rast nuk po e bëjnë për arsyen e thjeshtë sepse kanë frikë se ka fëmijë të tjerë të infektuar që unë uroj dhe shpresoj nga thellësia e zemrës time si prind që mos të ketë. Fakti tjetër është se mund të ketë fëmijë të tjerë të cilët janë mbartës të virusit dhe nuk e dine. Pra këta fëmijë të nderuar zgjedhin heshtjen për ta kaluar në heshtje këtë çështje por unë absolutisht nuk dorëzohem para absolutisht asnjë lloj komunikimi nga ana e tyre”, shprehet babai.

I sapolindur në tetor të vitit 2021, fëmija u desh të futet në reanimacionin e maternitetit shtetëror Mbretëresha Geraldinë. Aty foshnja qëndroi një javë, nga 8 tetori deri në 15 tetor 2021.

Përballja e dytë me spitalet shtetërore në Tiranë ishte në Reanimacionin e Pediatrisë në QSUT nga data 28 nëntor 2021 deri në 9 dhjetor 2021. Sipas kartelës mjekësore të përmendur në hetimin e ISHP fëmija doli i përmirësuar nga mjekimi i marrë, ndonëse prindërit pretendojnë të kundërtën. Dhe në fakt, nuk kaluan shumë dhe me 31 janar 2022, fëmija i vogël vetëm 3 muajsh në atë kohë, u shtrua sërish në reanimacionin e Pediatrisë me temperaturë 39 gradë. Në datë 1 shkurt 2022 – thuhet në raport- fëmija doli i përmirësuar nga spitali me mjekim ambulator.

Shtrimi i radhës do ishte në 20 shkurt 2022 në pavionin e pneumologjisë. Qëndrimi në spital ishte 4 ditë, deri më 24 shkurt 2022. Me gjendjen e rënduar të fëmijës që nuk po gjente shërim, në fund të shkurtit, sipas prindërve, një nga mjekët e fëmijës Ilirjana Bakalli, hedh për herë të parë hipotezën se fëmija mund të jetë i infektuar me HIV/AIDS.

Prindërit të parët, bënë disa analiza për sëmundje gjenetikisht të transmetuara, por asnjëri nuk rezultoi të ishte mbartës i HIV/AIDS, ndërsa në dijeni të tyre fëmijës iu bë testi për këtë virus. Më 2 mars 2022, përgjigja e analizës solli rezultatin që dy prindërit e rinj as nuk e imagjinonin. Fëmija i tyre rezultoi pozitiv me HIV, edhe pse ata vetë, pas disa analizave të njëpasnjëshme vijonin të rezultonin negative.

Në një përmbledhje që ISHP i ka dërguar prindërve, thuhet se hetimi nisi në prill 2022 dhe ka përfunduar në qershor. Aty theksohet se janë testuar për HIV personeli shëndetësor që i ka shërbyer fëmijës, por se nuk mund ta lëshojë raportin me emrat e tyre si provë në duart e prindërve dhe të avokatit të tyre, pasi shkel ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale.

“Për çfarë arsye e keni nisur hetimin kaq vonë dhe për çfarë arsye nuk i keni pajisur prindërit me rezultatin e hetimit? Pse nuk i keni shtuar të gjitha analizat që keni kryer si psh marrja e mostrave spitalit Mbretëresha Geraldinë në sallën e operacionit, marrjen e mostrave gjatë shtrimit të parë që ka patur djali në ranimacionin Mbretëresha Geraldinë dhe normalisht mostrat e shtrimeve në QSUT”, vijon babai i fëmijës.

Ndryshe nga personeli, që autoritetet thonë se i kanë testuar për HIV, fëmijët që kanë qenë të shtruar në të njëjtën kohë në spitale me 1-vjeçarin, nuk janë testuar nëse janë apo jo të infektuar me HIV/AIDS. Sipas raportit të hetimit të ISHP-së, janë këqyrur regjistrat në pavionet përkatëse ku është shtruar fëmija për të identifikuar ndonjë rast të diagnostifikuar me HIV Pozitiv (nga dokumenti fleta e parë), pra asnjë fëmijë nuk është testuar.

Prindërit kanë biseduar edhe Ëhatsapp me dr. Silva Binon për të kërkuar përgjigje përse nuk iu morën mostra gjaku fëmijëve të tjerë, kur edhe i vogli i tyre, rezultoi krejt papritur me HIV dhe askush s’e dinte më parë.

Silva Bino ne Whatsapp

Babai: zonja Bino ju më thatë është testuar vetëm personeli.

Doktoresha: Po është testuar me emër mbiemër

Babai”: Aty thotë nuk kanë rezultuar fëmijë të tjerë me HIV. Më fal si u vërtetua?

Doktoresha: Nuk ka rezultuar ekzistues nga kontrolli i database të personave me Hiv.

Babai: Më fal po ne si prindër ishim?

Kur vetë thonë se u shkatërruan më 2 mars 2022, datë që kurrë s’do e harrojnë, pa prani psikologu, prindërit e shohin të palogjikshëm argumentin nën zë të autoriteteve shëndetësore, se nuk i kanë testuar fëmijët e tjerë të shtruar në të njëjtat periudha me të voglin, për të mos tronditur fëmijët e tyre!

Share With:
Translate »
108 Views