Mjekët: Ky është modeli më i mirë i çantave të shkollës
Në çdo vit të ri shkollor prindërit janë të shqetësuar pasi duhet të vendosin se cilat çanta janë të përshtatshme për fëmijët. Shumë prej tyre mendojnë se çantat kanë efekte negative duke i shkaktuar fëmijëve dëmtime në shpinë. Madje shumë kompani kanë tentuar edhe të krijojnë çanta ortopedike.
Prindër qetësohuni, pasi një lajm i mirë vjen nga Kanadaja, ku mjeku Michael Holmes thekson se nuk ka arsye për t’u shqetësuar pasi nuk ka evidenca të qarta se çantat e shpinës kanë ndikime negative në shpinën e fëmijëve.
Doktori rekomandon që fëmijët të kenë çanta që kanë një rrip edhe tek beli në mënyrë që ngarkesa të bjerë edhe në fund shpinë, si dhe krahët e çantës në supe të jenë të gjerë dhe të plotë.
“Çdo shtator prindërit janë të shqetësuar për të gjetur çantat e përshtatshme për fëmijët, por ata duhet të qetësohen se nuk ka studime të qarta që tregojnë për dëmtime në shpinë, ata thjesht duhet të dinë të mësojnë fëmijët sesi të mbajnë çantat të balancojnë peshën” nënvizoi mjeku kanadez.
Sipas tij fëmijët duhet të mësohen që çantat t’i mbajnë me të dyja krahët, të mos e ngarkojnë me sende të panevojshme dhe të jenë shumë aktivë për të parandaluar çdo dëmtim të mundshëm.
Kujtojmë se studime të mëparshme kanë gjetur edhe lidhje rreth mënyrës sesi fëmijët mbajnë çantat dhe ndryshimet që pësojnë në qafë dhe në kokë.
Po ashtu kërkuesit arritën në përfundimin se nuk ka prova bindëse që të dëshmojnë se çantat e shkollës shtojnë risqet që fëmijët të kenë dhembje në kurriz.