“Mora 3 fëmijët dhe u largova me skaf”, Bujana Malaj: Nuk mjaftojnë qindra emisione për ta treguar

Bujana Malaj ka botuar tre libra me poezi të cilat ja ka dedikuar vendlindjes së saj Tropojës. Ajo ishte  e ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të treguar  për librin e saj të  fundit “N’krahanuer tem pushon Tropoja”, por edhe për të treguar për jetën e saj. një jetë e cila nuk ka qenë aq e lehtë.

Bujana Malaj tregon prej 23 vitesh jeton në Londër, por për të shkuar atje rruga nuk ka qenë e lehtë. Ajo tregon se në një moment shumë kritik për familjen e saj, ajo ka marrë tre fëmijët e saj dhe është larguar vetëm me ta nga Shqipëria.

Rudina Magjistari: Kur u largove? Je larguar me bashkëshortin apo jo?

Bujana Malaj: Jo unë jam larguar me tre fëmijët e mi. Bashkëshorti qëndroi këtu. Vajtëm si çdo shqiptar tjetër, si kosovarë u paraqitëm.

Rudina Magjistari: Ka qenë një mundësi ndoshta se ata kanë pasur akses për të vajtur në Angli.

Bujana Malaj: Po, por unë kam shkuar për arsye të tjera familjare se doja që fëmijët e mi të kishin një jetë më të mirë. Jo më të mirë, por  më të sigurt se ashtu i kishim rrethanat familjare.

Rudina Magjistari: Shumë kurajo e fortë se zakonisht ndodh e kundërta është bashkëshorti që niset dhe më pas tërheq gruan dhe fëmijët.

Bujana Malaj: Është e vërtetë, por ashtu na erdhën sfidat e jetës sonë. Ne kemi punuar shumë gjatë me tregti këtu. Në vitin ’90 kemi hapur të parët tregtinë këtu në rrethin e Dibrës. Jemi shumë të njohur, pavarësisht fatkeqësisë që na ndodhi nga tregtia. Ajo më bëri të marr fëmijët dhe të iki në mërgim. Pavarësisht çdo gjëje. Nuk njihja as botën as gjë prej gjëje, u detyrova dhe ika me skafe dhe maune. Të flasësh për emigrimin tim jo një emision, por qindra emisione po të bëj nuk i realizon dot ato udhëtime që kemi bërë ne në atë kohë.

Rudina Magjistari: Sakrificë e madhe dhe kurajë e madhe.

Bujana Malaj: Kam bërë tre muaj nga Durrësi, që kam ikur me traget dhe jam rikthyer disa herë dhe tre muaj nëpër Europë derisa kam arritur në Angli

Share With:
Translate »
140 Views