Mos i rrisni djemtë si mbretër dhe vajzat si shërbëtore

Dhuna i ka rrënjët tek edukimi i hershëm. Më saktë tek gjinizimi dhe të mëshuarit tek: Ti je djalë dhe ti je vajzë.

Për këtë çështje shkruan Lira Gjika në statusin e radhës dhe jep këshillat e saj.

“Dhuna ndaj gruas i ka rrënjët te edukimi i mbrapshtë që fillon me fiksimin te gjinia. Prindër, edukatorë, mësues, mos i trajtoni fëmijët të diferencuar nga gjinia, por trajtojini dhe shihini njerëz, që nesër të pranojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin. Duke insistuar te gjinia, nuk i mësoni fëmijës ndonjë gjë që nuk e di. Fëmijës t`i mësojmë atë që nuk di, njerëzoren, aty duhet insistuar. Njerëzorja nuk është dhunë dhe diskriminim, por respekt dhe barazi. Ju keni shumë në “dorë” për të evituar këtë fenomen të shëmtuar e plagë të keqe të shoqërisë. Ju nëna që shpesh i dalloni fëmijët tuaj, djalin e trajtoni si “mbret” dhe vajzën si shërbëtore. Ju baballarë që e shihni vajzën si një objekt që ka nevojë për mbrojtje dhe drejtim apo me frikën se mos ju turpëron. Kujdes ju mësues e mësuese, kur etiketoni nxënëset tuaja, që sapo kanë filluar të piqen seksualisht dhe adoleshente, që shpesh nuk arrijnë të kontrollojë sjelljen apo fjalorin e tyre. Nëse ju me autoritet dhe kujdes do t`i ndihmoni të mësojnë të zhvillojnë më të mirën e veprimeve dhe të fjalorit të tyre, ato do t`u jenë shumë mirënjohës dhe do t`ju dëgjojnë si Perëndinë, pasi kështu është mësuesi për nxënësit. Edhe djemtë mos i trajtoni si të fortë, por thjesht njerëz që po rriten dhe, që janë njëlloj të brishtë si edhe moshataret e tyre vajza. Një fjalë e mirë e mësuesit është ligj, që ndërton dhe një fjalë e keqe, shkatërron. Prindër, mësues përpiquni t`i shihni njerëz fëmijët, ndihmojini të bëhen njerëz të mirë, si djemtë dhe vajzat. Bëjini shtëpitë dhe shkollat vendet ku fëmijët nuk tremben, diskriminohen, por mësojnë çdo çast të mirën dhe respektin për veten, tjetrin dhe jetën. Për t`u mësuar ky mësim duhet shembulli i të rriturve, pra i ju prindërve dhe mësuesve”, shkruan Lira Gjika.

Share With:
Translate »
189 Views