“Mos kishim dalë, kishim vdekur me babin”, Amal rrëfen luftën në “Opinion”: Fëmijët presin të atin
Makthi i Amal Naim dhe 4 fëmijëve të saj në Gaza mori fund kur ajo u riatdhesua në Shqipëri. Megjithatë vuajtjet e tyre jo. Bashkëshorti i saj nuk mundi të kthehej. Ajo u shpreh në emisionin “Opinion” këtë të enjte se fëmijët po presin të atin, qajnë dhe thonë që më mirë të mos kishin dalë dhe të kishin vdekur në Gaza me babain.
“Fëmijët e mi po presin babain e tyre me padurim dhe qajnë më thonë mami mos kishim dalë, kishim vdekur me babin. Babai i tyre na la ne të iknim”, u shpreh ajo.
Histori e trishtë edhe për vëllain e Amal. Ai gjithashtu kishte mundësinë të kthehej në Shqipëri, por zgjodhi të qëndronte në Gaza ku ka edhe gruan bashkë me 4 fëmijët. Shkak është bërë fakti që nuk lejohej të kthehej e shoqja e tij, palestineze.
“Edhe vëllai im ndenji atje tha do vdes me gruan nuk mund të dal pasi edhe fëmijët nuk mund të dalin pa nënën e tyre. Edhe unë kur më doli mundësia për të dalë, doli me emra, doli emri i fëmijëve dhe mua jo. Po si ka mundësi sepse duhet të dal unë para fëmijëve. Pastaj nuk deshën fëmijët të dilnin pa mua dhe me vëllain tim. Si të dilte? Të merrte fëmijët e motrës dhe fëmijët e vet dhe dil, dhe ne gratë të rrinim në luftë. Është e palogjikshme”, tha Amal.