Mos u largoni fshehurazi nga çerdhja e fëmijës, po e dëmtoni atë
Nëna i thotë fëmijës se do të shkojnë në kopësht së bashku dhe sa arrijnë aty, nëna zhduket papritur dhe fëmija mbetet vetëm në krahët e një gruaje të panjohur në një mjedis të panjohur. Fëmija në moment pushtohet nga dyshimi, frika, trishtimi dhe inati. Gjëja e parë që mendon fëmija, është që nëna nuk e do më dhe do të shpëtojë nga fëmija. Veprimi i duhur është, që nëna me qetësi, duhet të largohet duke e përshëndetur fëmijën dhe të mos influencohet nga sjellja e saj apo e tij, pra të qarat e fëmijës. Kur nëna ikën e sigurt dhe e qetë duke e përshëndetur fëmijën, kjo sjellje e nënës është sjellje siguruese për fëmijën, natyrisht jo në çast, por i lë të kuptojë që nëna e beson personin që e ka marrë në krahë. I tregon se në vendin që e ka sjellë dhe do të kalojë disa orë të ditës, është i i sigurt dhe nuk ka përse të trembet. Nëna apo babai duhet të kenë kujdes që të shkojnë ta marrë fëmijën në orën që i kanë premtuar fëmijës.
E qara e fëmijës ka disa arsye:
- Një shkak i të qarit mund të jetë se nuk do të rrijë vetëm pa nënën dhe kur qan e di që nëna vjen dhe rri me të.
- Një shkak tjetër, mund të jetë kur e qara është kthyer në sjellje, fëmija i arrin gjërat pasi qan fort.
- Dhe një shkak i tretë, e qara është forma më e mirë për të demostruar vuajtjen e vet dhe nuk është e dëmshme siç e mendoni.
Më mirë ta tregojë vuajtjen dhe edukatorja pranë fëmijës ta ngushëllojë duke i dhënë të drejtë që është i/e mërzitur. Dhe do të ishte shumë mirë t’i thoshte, se nuk ka trimëri më të madhe se të përballosh ndarjen nga mami kur vjen në kopsht. Qëndrimi i edukatores në këto raste është shumë i rëndësishëm, ajo ose e qetëson fëmijën dhe i shton besimin te nëna ose e tremb dhe e nënshtron fëmijën.
Lira Gjika