Mrekulli te “Shefqet Ndroqi”/ 29-vjeçarja nga Kukësi dhe foshnja e saj mposhtin koronavirusin
Një tjetër mrekulli ndodhi te spitali “Shefqet Ndroqi”, nga ku janë të pakta lajmet e bukura. Një 29-vjeçare solli në jetë foshnjën e saj pavarësisht komplikacioneve të rënda për shkak të Covid-19. Besmira dhe vajza e porsalindur u kthyen shëndoshë e mirë në shtëpi, pas dy javësh të vështira në terapi intensive. Lajmin e bukur e bën të ditur ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastierliu.
“Besmira dhe foshnja e saj e fituan betejën e jetës, në përballjen e vështirë me covid19, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të bluzave të bardha. Pas ndërhyrjes tejet delikate për të sjellë në jetë vajzën, 29-vjeçarja nga Kukësi, me komplikacione të rënda si pasojë e covid19, ia doli mbanë. Punë e shkëlqyer e ekipit të spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe “Koço Gliozheni”, të cilët bënë të mundur që Besmira dhe vajza e porsalindur, pas dy javësh të vështira në terapi intensive, të kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Krenare për mjekët dhe infermierët.”, shkruan Manastirliu.