Muzhaqi: Do të zhvillojmë më tej aftësitë e fëmijëve dhe të rinjve me kurse jashtëshkollore!

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, të premten e 22 prillit, bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe ministren e Arsimit e Sportit, Evis Kushi, kanë prezantuar Programin e Ri të Kujdesit Dentar për fëmijët në shkolla.

Në fjalën e rastit, nga ambientet e shkollës “Jeronim De Rada”, ministrja Muzhaqi tha se “qëllimi ynë është t’iu plotësojmë nxënësve nevojat e tyre bazike, duke e konvertuar shkollën në një mjedis ku jo vetëm mësohet por edhe ofrohet përkujdes në shëndetin e tyre”.

“Jam e bindur që kjo punë fantastike që Ministria e Shëndetësisë ka bërë me përmirësimin dhe krijimin e këtyre kabineteve dentarë me një cilësi kaq të lartë, do iu mundësojë fëmijëve të marrin përkujdes cilësor dentar”.

Kujdesi shëndetësor në shkolla, Muzhaqi: Do të zhvillojmë më tej aftësitë e fëmijëve dhe të rinjve me kurse jashtëshkollore!

Gjithashtu, ajo theksoi se shkolla si qendër komunitare do të zhvillohet akoma më tepër.

“Në shtator do ta zhvillojmë më tej konceptin e shkollave si qendër komunitare. Kjo me krijimin e kurseve të veçanta që të rinjtë do t’i ndjekin falas, në ambientet e shkollës, me një ekip të mirë profesionistësh”, tha Muzhaqi, duke shpjeguar se kjo do t’i ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të zbulojnë dhe të zhvillojnë më tepër talentet e tyre.

Ndërsa u shpreh e bindur se do të rritet numri i shkollave ku fëmijët përfitojnë shërbimet e paketës së kujdesit dentar, ministrja e Shtetit solli në vëmendje dhe investimin madhor me 100 laboratorë teknologjikë.

“Me fillimin e vitit të ri shkollor, ne do të investojmë në 100 laboratorë teknologjikë për t’iu ofruar të rinjve dhe fëmijëve mundësi jo vetëm në kujdesin shëndetësor por edhe në zhvillimin e aftësive të tyre në fushën e teknologjisë”, bëri të ditur Muzhaqi.

Programi i ri i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për Fëmijët është një investim i Ministrisë së Shëndetësisë  e cila ka mundësuar 10 kabinete të reja dentare për shkollat e Tiranës.

Duke iu ofruar fëmijëve të grupmoshës 6-14 vjeç përkujdes cilësor dentar, depistimin periodik, edukim shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.

Më shumë se 11 mijë nxënës në këto 10 shkolla të kryeqytetit do të jenë përfituesit e parë të këtij shërbimi, për t’u shtrirë më pas në gjithë vendin.

Ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vjen në kuadër të programit të ri “Shëndeti në shkolla”, që mbështet shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.

Share With:
Translate »
126 Views