Ndahet nga jeta ‘babai i Tilit’

Është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare ‘Mjeshtri i Madh’, Lutfi Hoxha, aktor i dhjetëra roleve në teatër dhe kinematografi.

“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka”, shkruhej në faqen zyrtare të Teatrit Aleksander Mojsiu.

Ai numëron 95 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.

Një ndër rolet e tij më të njohur është ‘babai i Tilit’ në filmin “Shoku ynë Tili’.

Ndahet nga jeta 'babai i Tilit'
Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Lutfiu kishte interpretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës.

Me mënyrën e tij të thjeshtë dhe një stil vetjak për të bërë teatër pa qenë kurrë teatral dhe duke mbetur përherë i freskët, pa e njohur fjalën “përsëritje” ai diti të realizonte figura të spikatura në dramaturgjinë kombëtare dhe në atë të huaj.

Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro Çomorës; “Martesa” e Gogolit; te “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit.

Në Kinematografi pas filmit “Detyrë e posaçme” Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, “Valsi”, për të mbërritur te filmat “Ne dhe Lenini” apo “Derë e hapur”.

Share With:
Translate »
65 Views