Ndërhyrja e rrallë kirurgjikale në pediatrinë e QSUT/ Flet mjeku që bëri 13 orë operacion tek vogëlushi 1-vjeçar
Kirurgu Dritan Alushani, i cili ka kryer me sukses një operacion të vështirë te një foshnje, ka rrëfyer orët e gjata në sallën kirurgjisë.
Operacioni ka zgjatur plot 13 orë.
Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Alushani tregoi për problemin që shqetësonte fëmijën.
Ai tha se fëmija kishte lindur me anomali të fshikëzës urinare dhe se ishte operuar menjëherë pas lindjes dhe shtoi se kjo sëmundje kërkon ndërhyrje të herë pas hershme.
“Flas për faktin se si ka lindur fëmija. Kishte lindur me një anomali të traktit urinar, të rrugëve që drenojnë urinën që prodhohet në veshka. Ishte operuar menjëherë sapo kishte lindur, kishin nxjerrë një kanal urine që të drenonte në pjesën e barkut. Është sëmundje e tillë që praktikisht duhet të ndërhysh herë pas here.
Ti nuk ndërhyn dot para moshës 1 vjeç që të formosh një fshikëz urinare, në raste pak më normale se ky ishte një rast ekstrem. Ky nuk kishte fare fshikëz urinare ose kishte një fshikëz shumë të vogë, të rrudhur, për shkak se kishte një pengesë poshtë në kanalin e urinës, poshtë fshikëzës së urinës. Kjo bëri që pjesa e depozitës urinare të ishte e pazhvilluar”, theksoi ai.