Në burg për vrasje, gruaja shtatzënë: Fëmija im po mbahet ilegalisht në burg
Yvette Harrell ishte 6-javëshe shtatzënë kur qëlloi për vdekje një grua tjetër. Teksa ndodhet në burg në pritje të gjyqit, ajo pretendon se foshnja e saj e palindur po mbahet në mënyrë të paligjshme në ambientet e burgut.
Në një peticion urgjent në një gjykatë të Floridës, avokati i Harrell argumentoi se stafi i burgut e ka rrezikuar fëmijën përmes mungesës së kujdesit të nevojshëm para lindjes. Peticioni bazohet në argumentin se një fetus është një person me të drejta.
“Fëmija i palindur i Harrell është një person siç përcaktohet në Kushtetutën e Floridës dhe Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, shkroi avokati William Norris.
Deklarimi është bërë në emër të fëmijës së palindur dhe kërkon që Harrell të lirohet nga burgu derisa fëmija të lindë, në mënyrë që ajo të marrë kujdesin e duhur si një grua shtatzënë.
“Një fëmijë i palindur ka të drejta të pavarura nga nëna e tij, edhe pse është ende në mitër,” tha avokati Norris për The Washington Post.
24-vjeçarja Harrell është deklaruar e pafajshme për vrasjen e shkallës së dytë. Sipas peticionit të Norris, Harrell veproi në vetëmbrojtje, “nga frika e jetës së saj dhe jetës së fëmijës së saj të palindur”.
Avokati pretendon se klientja e tij nuk ka marrë në burg vitaminat, ushqimin dhe lëngjet që i nevojiten dhe se nuk është i janë zhvilluar takimet e planifikuara me mjekët. Norris shtoi se ekzaminimi i fundit mjekësor i Harrell ishte bërë në Tetor të vitit të shkuar duke mos e qartësuar se kur pritet që të lindë fëmija.