Në luftë me kancerin dhe Covidin: Mësuesja tregon çelësin e kalimit me sukses të virusit
Ina Kasimati është mësuesja e Biologjisë dhe aktivistja që është bërë model frymëzimi për gratë dhe vajzat. Prej gati dy vitesh mësuesja po lufton me kancerin, por në asnjë moment nuk u dorëzua.
Në një intervistë për “Klan Plus”, Ina rrëfen se si e përjetoi infektimin me Covid-19 dhe vështirësitë që kaloi. Ruajtja e qetësisë dhe meditimi sipas saj janë çelësi i kalimit me sukses i kësaj pandemie.

“Ditën që më ndodhën shenjat e para të këtij virusi, ethe, dhimbje koke, dhimbje fyti, dhimbje kraharori, u tremba, jo vetëm prej betejës që kam kaluar me kancerin e gjirit, por gjithë shtatorin e kisha kaluar në spitale për kontrolle sepse isha diagnostikuar me një vatër tjetër tumorale dhe prisja të operohesha. Kam komunikuar me 127, më dëgjoi, më dha këshillat e para, më orientoi të përdorja paracetamol dhe nëse situata do agravohej do i telefonoja përsëri për të marrë një shërbim më të shpejtë. Për përgjigjen e tamponit prita 4 ditë. I dhashë shumë kurajo vetvetes, i thashë vetes nëse kalon këtë sëmundje, çdo gjë tjetër do ta kalosh. Kam ndjekur dhe seanca të meditimit. Shëndeti mendor është një nga problematikat më të forta dhe në spital ende nuk shoh shërbimin psikologjik që të jetë në funksion të mirë të pacientëve”, u shpreh mësuese Ina, duke u bërë edhe apel institucioneve përgjegjëse që të përkrahin mësuesit, pasi në këtë betejë janë pothuajse baraz me mjekët. Ndaj duhet t’iu sigurojnë kushtet dhe masat mbrojtëse në mënyrë që të mos infektohen.