Në placentat e foshnjave të palindura zbulohen mikroplastika

Grimcat mikroplastike janë zbuluar në placentat e foshnjave të palindura për herë të parë, gjë që studiuesit thanë se ishte një shqetësim i madh.

Ndikimi shëndetësor i mikroplastikës në trup është ende i panjohur. Por shkencëtarët thanë se ato mund të mbanin kimikate që mund të shkaktojnë dëmtime afatgjata ose të prishin sistemin imunitar në zhvillim të fetusit. Grimcat ka të ngjarë të jenë konsumuar ose marrë gjatë frymëmarrjes së nënave.
Grimcat u gjetën në placentën e katër grave të shëndetshme që kishin shtatzëni dhe lindje normale.

Vetëm rreth 4% e secilës placentë u analizua, megjithatë, u verifikua një numër i lartë i mikroplastikave. Të gjitha grimcat e analizuara ishin plastike në ngjyrë blu, të kuqe, portokalli ose rozë dhe mund të kenë ardhur fillimisht nga paketimet, bojërat ose produktet kozmetike dhe produktet e kujdesit personal.

Mikroplastikat ishin kryesisht 0.01mm në madhësi, që do të thotë se janë aq të vogla sa mund të barten në qarkullimin e gjakut. Grimcat mund të kenë hyrë në trupat e foshnjave, por studiuesit nuk ishin në gjendje ta vlerësonin këtë.

Në studimin, botuar në revistën Environment International, studiuesit arritën në përfundimin: “Për shkak të rolit vendimtar të placentës në zhvillimin e fetusit dhe në veprimin si një ndërfaqe me mjedisin e jashtëm, prania e grimcave plastike potencialisht të dëmshme është shqetësim i madh. Studime të mëtejshme duhet të kryhen për të vlerësuar nëse prania e mikroplastikave mund të shkaktojë përgjigje imune ose mund të çojë në çlirimin e ndotësve toksikë, duke rezultuar në dëm.”


Efekti i tyre në trup është i panjohur, por shkencëtarët thonë se ka një nevojë urgjente për të vlerësuar çështjen, veçanërisht për foshnjat. Në tetor, shkencëtarët zbuluan se foshnjat që ushqeheshin me qumësht formule në shishe plastike po gëlltisin miliona grimca në ditë.

Share With:
Translate »
421 Views