Në prag të fillimit të shkollave, maska transparente për mësuesit mund të ishte zgjidhje e mirë
Me afrimin e shtatorit, shumë vende po përgatiten për rihapjen e shkollave. Në kuadër të masave të ndërmarra për Covid-19, qeveritë po përpiqen të sigurojnë sa më shumë ambientet e shkollave.
Italia ka ardhur me një propozim që duket si zgjidhja ideale lidhur me mësimdhënien në kushte pandemie. Sipas ekspertëve italianë, maskat transparente për mësuesit do të ishte një alternativë tejet e mirë, ndonëse është ende duke u testuar siguria e tyre. Koordinatori i CTS Agostino Miozzo ka thënë se kjo do të ndihmojë nxënësit të shikojnë shprehinë e fytyrës së mësuesve.

Ky propozim vjen si parësor për kopshtet dhe çerdhet, por njëkohësisht po shihet si alternativë e sigurt për ciklin shkollor. “Ne jemi duke vlerësuar karakteristikat e maskave transparente për operatorët e kopshteve dhe çerdheve. Pse jo, edhe për mësuesit e shkollave fillore”, ka thënë Miozza. Të njejtat variante maskash po vijnë në ndihmë të personave të shurdhër, në mënyrë që të krijohet mundësia e leximit të buzëve.