Nëna dhe babai i Elonës kërkojnë t’u kthehet trupi i vajzës nga Turqia në shtëpi

Elona nuk mundi ta mposhte sëmundjen, pavarësisht se u transferua nga spitali në Tiranë për në Turqi, aty ku kishte shpresë për kurimin e saj nga mjekët specialistë.

15-vjeçarja ndërroi jetë një ditë më parë, ndërsa familja e saj hapur dyert e mortit dhe kërkon sjelljen sa më të shpejt të trupit të vajzës së saj në shtëpi.

“Elona ndodhet në Turqi. Unë e çova për kurim por sëmundja i mori jetën. Unë i kërkoj Edi Ramës që si reagoi për kurimin e Elonës të ma sjellë vajzën në shtëpi. Më kanë thënë në spital që nesër në orën 10:00 do vijë vajza në Shqipëri”, tha mes lotësh nëna  e Elonës për “Report TV”. E njëjta thirrje vjen edhe nga babai i së ndjerës: “Unë kërkoj nga ministri që sa më shpejt të më sjellë vajzën këtej”.

Elona Kuburja vuante nga një sëmundje e rrallë që njihet si Hemangioma Kongenitale, një tumor beninj që prek enët e gjakut dhe shkakton hemorragji të rëndë.

Historia e trishtë e saj dhe familjes u bë publike pas një apeli të familjarëve të saj, ku kërkonin ndihmë për të shpëtuar vajzën, pasi ndërhyrja kushtonte shumë. Ditën që Elona u nis për në Turqi drejt një spitali të specializuar, ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri Rama njoftuan se kishin marrë rastin përsipër, dhe se të gjitha shpenzimet do të mbuloheshin nga shteti./ Tiranapost.al

Share With:
Translate »
715 Views