Nëna do e abortonte por e shpëtoi gjyshja, mbesa premton t’i bëjë ëndrrën realitet

Për Brixhildën nuk ka person më të dashur se gjyshja pasi ardhjen në jetë i’a dedikon pikërisht asaj. Në prag të festave të fundvitit ajo kishte udhëtuar nga Franca për t’i bërë një surprizë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në televizionin Klan. Mbesa kishte ftuar dhe Safijen që të vinte nga Italia duke qenë se prej dy vitesh jetojnë në dy shtete të ndryshme. Zakonisht ato nuk janë mësuar të qëndrojnë kaq gjatë larg njëra – tjetrës dhe pikërisht duke përdorur këtë dobësi, Brixhilda në bashkëpunim me emisionin i bënë një “rreng” nënë Safijes. Ardit Gjebrea ka udhëtuar drejt familjes së tyre në Elbasan ku kamerat kanë ndjekur fillimisht ndarjen mes gjyshes dhe mbesës e cila gjoja do largohej drejt Francës ku jeton së fundmi. Por kjo ishte thjesht koha që i duhej drejtuesit të emisionit për të zhvilluar intervistën me Brixhildën nga ku janë mësuar detajet e historisë së saj. 18 vite më parë, e ëma donte t’a abortonte por në momentet e fundit, Safija i kishte bërë thirrje që të mos e hiqte fëmijën sepse do e rriste ajo vetë. E në fakt ashtu ndodhi. Pesë muaj më vonë, prindërit e Brixhildës emigruan në Greqi dhe vajza e vogël u rrit me gjyshen. Fjalën nënë për herë të parë i’a tha pikërisht asaj gjë të cilën pohoi se e ndien edhe sot. Por jeta nuk ishte aq e lehtë. Vite më vonë u nda nga jeta babai i Brixhildës, aksidentalisht me armën e shërbimit të policisë dhe e ëma vazhdonte të ishte në emigracion. Familja e tyre kaloi nga një shtet në tjetrin në përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë. Vështirësitë vazhduan por ajo që nuk ndryshoi kurrë ishte dashuria që mbesa kishte për gjyshen e saj dhe lidhjen speciale mes njëra – tjetrës. Së fundmi Brixhilda ka treguar se po studion për t’u bërë police për t’i ngjarë sadopak babait të saj. Kjo nuk i ka pëlqyer gjyshes e cila gjithmonë ka ëndërruar që t’a shohë mbesën të veshur me përparsen e bardhë të mjekes. Ky ka qenë edhe premtimi që i ka bërë ajo pasi është zbuluar loja se në fakt Brixhilda nuk ishte nisur për në Francë por do qendronte edhe disa ditë të tjera për t’u çmallur me të. Dy surpriza në një ditë të vetme, fakti që do rrinte për të festuar së bashku dhe plotësimi i dëshirës për t’u bërë mjeke.

Share With:
Translate »
911 Views