Nëna i kërkon falje të birit, i jep kursimet e punës së tij
Një tjetër histori që preku studion e “E Diela Shqiptare” në Tv Klan gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” ishte ajo e Stolisë, e cila vjen me një mesazh për djalin e saj të madh. Siç ajo rrëfen, ai ka qenë gjithnjë i lidhur pas familjes, ka vuajtur nga problemet me shëndetin e gjithashtu edhe ka vuajtur vështirësitë ekonomike të familjes.
Ajo kërkon t’i kërkojë falje të birit sepse ndihet fajtore për fëmijërinë e humbur të djalit të saj e rritjen që nuk ishte njësoj si moshatarët e tij. Ndihet fajtore sepse për shkak të pamundësisë ekonomike ka gënjyer të birin për shkollimin e tij duke i thënë se po interesohej për të ditur kriteret, por ndërkohë nuk bënte asnjë hap.
Sot, duke qenë në një gjendje më të mirë ekonomike pasi Stolia, djali i madh dhe bashkëshorti ndodhen në punë. Stolia madje bën një punë të dytë që pagesën mujore të të birit mos ta prekë e t’ia kursejë, ndërsa ai nuk është në dijeni të kësaj.
Stolia: Unë të kërkoj falje sepse nuk t’i kam plotësuar të gjitha kushtet që ti ke dashur. Të kërkoj falje që ti ke pasur një fëmijëri shumë të vështirë. Të kërkoj falje që gjithë kohën ti nuk ke pasur turp që të rrije të punoje me ne në rrugë, shisje me mua dhe me babin. Të kërkoj falje që nuk të kam futur në stërvitje futbolli dhe në shkollë të lartë, por të kam gënjyer gjithë kohën duke thënë “do të të çoj këtë vit, do të të coj vitin tjetër”. Unë të dua shumë, më shumë se jetën time, si unë dhe babi. Ne të dy e diskutojmë dhe themi që “le të shikoj Ervinin të rregulluar dhe të vdes” sepse ai tjetri i janë plotësuar më mirë kushtet sepse ka qenë më ndryshe. Mami lekët që ke punuar ti nuk të ka prishur asnjë lek, prandaj edhe bëj punë të dytë që më thua ti “mos puno, pse punon kaq shumë”. Unë ato lekë që ke punuar ti, t’i kam mbyllur në një llogari bankare. Unë nuk dua që ti të mërzitesh, unë do të punoj sepse jam e re sot, unë dua që ti të jesh i pavarur, të krijosh familjen tënde, të shikosh jetën tënde. Unë, babi dhe vëllai do të ecim përpara vetë, vetëm ti të rregullohesh. Unë këtë dua nga ti, nuk dua të të shikoj të stresuar. Kur të shoh ty të stresuar, nuk di si bëhem sepse nuk kam pasur asgjë mundësi dhe kjo më bën fajtore karshi teje.
Ardit Gjebrea: Çfarë do t’i thuash mamit tënd?
Ervin: Unë do t’i thoja mamasë që është gjëja më e shtrenjtë në botë, bashkë me babin dhe me vëllain. Edhe pse ka qenë një fëmijëri e vuajtur për mua, unë prapë jam krenar për ata prindër, vuajtja dhe stresi e nxjerrin njeriun në jetë sepse po nuk vuajte që fëmijë nuk di për jetën, si të ecësh më tutje. Nuk jam lakmitar që vëllai është më i mirë se unë, një ditë me shpresën e Zotit do të rregullohem.