Nëna sjell në jetë vajzën e saj 117 ditë pasi ra në koma
Një ngjarje e rrallë është regjistruar në Çeki. Një 27-vjeçare ka sjellë në jetë me 15 gusht një vajzë, 117 ditë pasi kishte pësuar vdekje klinike.
Njoftimi u bë nga ekipi mjekësor të hënën.
“Eliska është lindur me cesarian në javën e 34-t të shtatzënisë”, theksoi në një konferencë shtypi Roman Gal, kryeanestezist në Spitalin Universitar të Brnos.
”Eliska peshonte 2,13 kilogramë dhe është 42 centimetra e gjatë. Kjo është pesha dhe maturimi më i lartë për një bebe nga një nënë në gjendje kome, sipas të dhënave botërore”, shtoi Gal.
Mamaja e Eliskas, Eva Votavova, 27 vjeçe, ishte diagnostikuar në vitin 2016 me një keqformim arterio-venoz në tru.
Më 21 prill ajo u gjet në gjendje të pavetëdijshme në shtëpinë e saj ndërkohë që ishte shtatzënë 16-javëshe.
“Pas një hemorragjie të madhe në tru, frymëmarrja e saj u ndalua dhe më pas u shpall në gjendje kome”, sipas Gal.
Mjekët e vunën nën intubim artificial dhe një fizioterapist lëvizte këmbët herë pas here, duke imituar ecjen për të ndihmuar fëmijën të rritet. Infermieret gjithashtu flisnin me fetusin dhe gjyshja e saj lexonte histori për të.
Kur helikopteri e solli në spital nënën e re shanset e saj për të mbijetuar ishin minimale, edhe për fetusin e saj gjithashtu. Por mrekullia ndodhi.
Pasi lindi foshnja, në prani të burrit të saj dhe anëtarëve të tjerë të familjes, personeli mjekësor shkëputi sistemi e mbajtjes në mënyrë artificiale të funksioneve jetësore për 27 vjeçaren.
Eliska ka qëndruar edhe për dy javë të tjera në spital dhe më pas është marrë nga babai i saj ku ka njohur edhe vëllain e saj më të madh.
Ajo aktualisht ushqehet me gji nga halla e saj, e cila ka gjithashtu një bebe.