Nga çmimi për lindjen në spitalin privat të Kalifornisë deri tek detyrat mes Harry dhe Meghan pas ardhjes së Lilibet në jetë
Harry dhe Meghan morën lejen e lindjes. Ata njoftuan dje ardhjen në jetë të vajzës së tyre Lilibet, që në fakt lindi në 4 qershor.
Çifti zbuloi emrin që zgjodhi në nder të gjyshes dhe të stërgjyshes mbretëreshë. Vajza quhet Lilibet Diana. Lilibet është emri me përkëdheli që i thërrasin Elizabeth, kurse Diana, nga nëna e Harry-t.
Burimet pranë familjes mbretërore bëjnë me dije se çifti e kishte njoftuar paraprakisht mbretëreshën për emrin që do t`i vendosnin vajzës. Kështu ajo e dinte para të gjithëve.
“Ajo është më shumë sesa mund ta imagjinonim dhe jemi mirënjohës për dashurinë dhe lutjet që kemi ndjerë nga i gjithë globi. Faleminderit për mirësinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme gjatë kësaj kohe shumë të veçantë për familjen tonë”,shkruanin Harry dhe Meghan në njoftim.
Lili, se kështu do ta thërrasin, është e teta në radhë për fron.
Ajo lindi në spitalin Santa Barbara Cottage në Kaliforni, një spital privat ku lindjet kushtojnë deri në 20 mijë dollarë.
Omid Scobie, një gazetar pranë çiftit, shkroi në Twitter se ata nuk do të ndanin asnjë foto të Lilit për momentin dhe se janë me leje lindje.