Nga mësimi në oborr, deri te ndalimi i ushqimit në klasë, këto janë masat anti-Covid që do të zbatohen në shkolla
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar protokollin me rregullat që do të zbatohen me hapjen e shkollave. Mësimi do të nisë më 31 gusht për ata që humbën leksionet online gjatë kohës së pandemisë dhe më 14 shtator nis viti i ri shkollor.

Nga mësimi në oborr e deri te ndalimi i ushqimit në klasë, këto janë rregullat e reja që duhet të zbatohen në shkolla:
Të gjithë nxënësit do të hyjnë në shkollë me radhë me një largësi 2 metra nga njëri-tjetri.
Nxënësve do t’u matet temperatura dhe nëse kanë simptoma të ngjashme apo temperaturë përpara ardhjes në shkollë, njoftohet mësuesi kujdestar, i cili, në bashkëpunim me mjekun e shkollës ose atë të familjes verifikon nëse nxënësi është i sëmurë apo jo.
Justifikimi i mungesave tani do të bëhet vetëm nga mjeku i familjes. Nxënësit duhet të jenë të gjithë të pajisur me maska me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë) të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si dhe shami letre për higjenën e hundëve. Pas hyrjes në shkollë, nxënësve nuk do u lejohet që të dalin më nga godina dhe të rikthehen përsëri në të, brenda ditës. Lejohet vetëm një hyrje dhe një dalje në ndërtesën e shkollës.

Dera e shkollës do të qëndrojë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor, do të qëndrojnë të hapura për të krijuar ajrosjen e nevojshme brenda tyre. Ashtu si hyrja edhe dalja nga ambientet e shkollës do të bëhet sipas rregullave duke ruajtur distancimin social dhe fizik si me lart (jo më pak se 1.5 metra), nën mbikëqyrjen e mësuesve kujdestarë dhe të punonjësve të tjerë të shkollës. Drejtimi i vendosjes së fëmijëve vetëm në një kah apo një drejtim, njëri pas tjetrit. Nxënësit që nuk zbatojnë këtë rregullore, trajtohen me masë disiplinore nga Komisioni i Etikës dhe i Sjelljes.
Qëndrimi në klasë 1.5 metra larg, mësuesi disatancë 2 metra
Mësuesi duhet që të qëndrojë në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit e tjerë, në 2 metra. Brenda klasës nxënësit duhet që të qëndrojnë të ulur nga një nxënës në bankë, dhe bankat në të paktën 1.5 metra larg njëra-tjetrës. Në klasat ku kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera.
Nxënësi me shoqërues në tualet, mësim edhe në oborr, s’ka ushqim në klasë
Ministria e Shëndetësisë u kërkon të gjithë mësuesve që të sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato. Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Në këtë rast nxënësi duhet të shoqërohet, por nuk specifikohet se cili do të jetë mbikëqyrësi. Kur është e mundur, praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme. Nuk lejohet ushqimi në klasë.
Transporti i nxënësve, masa edhe për autobusët
Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë theksohet se transporti i nxënësve që kryet me mjetet të transportit të dedikuara ose publik, duhet të mbahet maska gjatë gjithë kohës së transportit (vajtje-ardhje) dhe këto mjete duhet t’i nënshtrohen rigorozisht udhëzuesit për transportin.
Roja me maskë, nuk duhet të lejojë askënd të futet në shkollë
Oficeri i sigurisë në shkollë duhet që të paraqitet në institucionin arsimor në orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës, ku i janë sanksionuar disa detyra sipas protokollit anti-COVID. “Roja/oficeri i sigurisë të mbajë gjatë gjithë orarit të punës maskën, dorezat dhe solucione dezinfektuese. Roja nuk lejon prezencën e prindërve dhe çdo individi tjetër brenda në institucion (me përjashtim të nxënësve dhe personelit të deklaruar të institucionit arsimor). Çdo kërkesë për komunikim me drejtuesin e institucionit të bëhet nëpërmjet numrit të kontaktit të drejtorit ose të stafit drejtues. Kryen të gjitha detyrat duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mesuesit dhe sanitaret.
Sanitaret me maskë, pastrojnë tualetet çdo 30 minuta (Detyrat)
Personeli ndihmës paraqitet në institucionin arsimor në orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Sanitaret të mbajnë gjatë gjithë orarit të punës maskën dhe solucione dezinfektuese. Korridoret pastrohen çdo dy orë. Tualetet pastrohen e dezinfektohen çdo 30 minuta. Rezervuarëve të ujit që mund të ketë shkolla, u hidhet klor sipas udhezimeve përkatëse çdo ditë. Dorezat e dyerve dhe dritareve të çdo klase dhe mjedisi pune si dhe parmaket e shkallëve dhe vende të tjera pastrohen dhe dezinfektohen sa më shpesh. Largimi nga institucioni arsimor bëhet pas përfundimit të pastrimit dhe dezinfektimit të çdo mjedisi të tij. Kryen të gjitha detyrat duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mesuesit.
Detyrat e mësuesit në shkollë
Mësuesit e kujdestarisë ditore/javore paraqiten në shkollë në orë orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Stafi mjekësor i shkollës (mjeku/infermierja e shkollës), ose personeli i shkollës i caktuar nga drejtori dhe i trajnuar për veprimet e mëposhtme, kryen për çdo nxënës procedurën si më poshtë:
– Mat temperaturën me termometër digjital.
– Spërkat solucion dezinfektues me përmbajtje 70% alkooli në duart e nxënësve
– Kontrollon nëse çdo nxënës është i pajisur me maskë.
– Mësuesi mban gjatë orarit zyrtar maskën dhe solucione dezinfektuese.
– Gjatë orës së mësimit, mësuesi qëndron në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit.
– Mësuesi i arsimit fillor largohet nga institucioni vetëm kur klasa e tij mbaron procesin mësimor.
– Mësuesi i AMU-së dhe AML-së largohet nga institucioni vetëm me miratim të drejtorit të shkollës.
Çdo ditë nxënësit duhet të plotësojnë formularin, klasat dezinfektohen pas mësimit
Pas përfundimit të procesit mësimor, të kryhet pastrimi i sipërfaqeve dhe orendive me lëndë dezinfektuese. Dezinfektimi i mjediseve të brendshme dhe të jashtme të shkollës duhet të kryhet pas procesit mësimor 2 herë në javë. Në ambientet e shkollës do të pranohen vetëm nxënësit apo prindërit (në rastet e nxënësve të ciklit fillor) që do të firmosin rregulloren mbi parandalimin e perhapjes se COVID-19.
Përpara se të rifillojnë mësimin në ambjentet e shkollës sipas rregulloreve të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nxënësit duhet të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit për situatën e tyre shëndetësore dhe të familjarëve të tyre, e cila shërben për të hetuar paraprakisht mundësinë e një vatre infeksioni COVID-19. Nxënësit që nuk zbatojnë rregulloren, trajtohen me masë sipas rregullores së shkollës.
Aktivitetet sportive dhe artistike jo më shumë se 10 nxënës
Aktivitetet në ambientet e shkollës, sportive e artistike duhet të kryhen në grupe jo më shumë se 10 persona dhe duke ruajtur distancimin fizik. Gjithashtu duhet të jenë të afishuara në të gjitha ambientet e shkollës postera mbi masat e parandalimit të infeksionit COVID-19 dhe postera me mesazhe të qarta dhe të thjeshta. Shëndetësia kërkon që të vendosen postera të veçantë për mënyrën e larjes së duarve dhe mbajtjes së maskës. Në hyrje dhe dalje të ambienteve të shkollës, rekomandohet të vendoset një higjenizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%, i cili duhet të jetë gjatë gjithë kohës i pranishëm.
Ndalohen mbledhjet me prindërit në shkollë
Takimet dhe mbledhjet ballë për ballë janë të ndaluara. Klasat duhet të kenë aq nxënës sa lejojnë distancimin jo më pak se 1.5 metra nga njëri nxënës tek tjetri. Janë të ndaluara takimet dhe mbledhjet ballë për ballë në ambientet e shkollës. Nëse nxënësi manifeston gjëndje stresi dhe ankthi, ai i drejtohet shërbimit psiko-social të shkollës nëpërmjet mësuesit kujdestar dhe “Këndit të psikologut” online pranë DRAP-së. Në një klasë apo sallë laboratori të mos qëndrojnë më shumë nxënës se sa mund të qëndrojnë në atë mjedis duke respektuar distancimin social dhe fizik.
Kujdesi për higjienën; Nxënësit të lajnë duart sa herë të prekin hundën, sytë dhe gojën
Strukturat e arsimit të shpërndajnë mesazhe sensibilizuese për të ndërgjegjësuar nxënësit dhe të qëndrojnë në komunikim të vazhdueshëm për rëndësinë që ka distancimi fizik dhe higjiena personale në ambientet brenda dhe jashtë shkollës. Nxënësve duhet t’u flitet çdo ditë për rregullat e higjienës, larjen e duarve, mënyrën e kollitjes, teshtitjes dhe mbajtjen e maskës. Çdo nxënës në shkollë duhet të lajë duart pas çdo veprimi që mund të përbëjë rrezik për përhapjen e virusit: prekja e hundës, syve, gojës, etj.
Të minimizohet prekja e herë pas hershme e maskës, të tregohet kujdes që gjatë heqjes të kryhet nga pjesa e pasme e maskës si dhe larja e menjëhershme e duarve apo përdorimi i dezinfektantëve në fund të këtij procesi. Duhet të sigurohen nga struktura arsimore: uji i rrjedhshëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbajtje alkooli 60%, në të gjithë ambientet e shkollës.
Gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës, çdo individ duhet të mbajë detyrimisht maskë (sipas specifikimit të grupmoshave). Dritaret duhet të mbahen të hapura, ose të paktën klasat të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit.