Ngjarja tragjike në Teksas/ 10-vjeçarja që u vra pasi telefonoi 911
Një nxënëse e klasës së katërt, Amerie Jo Garza, e cila shkonte në shkollë në Uvalde, Teksas, u përpoq të telefononte 911 nga celulari i saj përpara se 18-vjeçari i armatosur ta vriste.
Gjyshja e Amerie, 49-vjeçarja Berlinda Arreola, tha për Daily Beast se 10-vjeçarja kishte celularin e saj kur i armatosuri hyri në klasë.
“[Mbesa ime] u qëllua dhe u vra pasi u përpoq të telefononte 911, ajo vdiq si heroinë duke u përpjekur të merrte ndihmë për të dhe shokët e saj të klasës”, tha ajo.
Arreola tha gjithashtu se personi i armatosur u kishte thënë nxënësve: “Ju do të vdisni”.
“[Amerie] kishte telefonin e saj dhe telefonoi 911,” shpjegoi gjyshja. “Dhe në vend që t’ia merrte, ai e qëlloi … Ajo ishte ulur pranë shoqes së saj më të mirë. Shoqja e saj ishte e mbuluar me gjak.”