Nis ndërtimi i qendrës për fëmijë te ish-Garda

Ka nisur këtë të mërkurë puna për ndërtimin e Qendrës së re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në zonën kur dikur ndodhej Garda e Republikës. Në këtë kompleks do të zhvendoset dhe Teatri i ri i Kukullave, ndërkohë që godina ekzistuese i është nënshtruar rikostruktimit për shkak se është monument kulture.

Për Kryeministrin, Kryebashkiakun e Tiranës dhe Ministren e Kulturës kjo është një ngjarje që nuk duhet të kalojë si një lajm rutinë, pasi është një hapësirë shumë e rëndësishme që i shtohet qytetit e ku fëmijët mund të zhvillojnë talentet e tyre.

Për Veliajn nisja e projektit për këtë qendër është përgjigja më e mirë për spekulimet, që u bënë sipas tij, me lajme për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe.

E pikërisht për projektin e Bibliotekës së re Kombëtare që është menduar të ngrihet në këtë zonë, Rama flet për sfidat më të cilat përballet qeveria për gjetjen e financimit. Por kujton dhe problemet me drejtësinë që kanë për ketë pronë publike.

Projekti i prezantuar ne ceremoninë e sotme parashikon që në sipërfaqen prej 5500 m2 pranë Liqenit Artificial të ofrohen hapësira të nevojshme për këtë pol kulturor multifunksional dedikuar fëmijëve në moshën nga 3 deri 12 vjeçe. Projekti parashikohet të përfundojë brenda 2 viteve dhe buxhetit të shtetit ky investim t’i kushtojë rreth 1 miliardë lekë.

Share With:
Translate »
255 Views