Nis sonte ‘Në kurthin e Piter Pan 4’! Zbulohet i ftuari i parë
Gjithçka është gati për sonte në mbrëmje. “Anija” e “Në kurthin e Piter Pan 4” do të nisë fluturimin në orën 20:15, si gjithmonë në Tv Klan. Sigurisht që mbrëmja do të jetë e mbushur me surpriza, pasi do të prezantohen ata, protagonistët e këtij edicioni, të cilët ashtu si protagonistët e mëparshëm do të bëjnë për vete publikun me batutat, çiltërsinë dhe pyetjet që vetëm ata dinë t’i bëjnë.
Por kurioziteti është i madh edhe për të ftuarit që do të vendosen përballë panelit të gazetarëve të vegjël. I ftuari i parë në natën e sotme do të jetë gazetari dhe prezantuesi i mirënjohur Adi Krasta. Sot Krastën nuk do ta shohim si gazetarin që jemi mësuar gjithmonë, por do ta shohim në një tjetër këndvështrim, nga këndvështrimi i fëmijëve. Si është ai jashtë ekranit, në përditshmëri dhe cila është ana e tij që nuk e njohim, edhe pse e ndjekim në ekran prej vitesh?!

“Sonte në ‘Piter Pan Nata 1’, i ftuar special prezantuesi dhe gazetari që ka frymëzuar punën time në television, Adi Krasta. E ndiqja me vëmendje qysh fëmijë, në të gjithë serinë e serialeve me shifrën 12, me atë artikulimin e njerëzve të talentuar, gjithmonë pak ironi e mprehtë dhe sens humori fin… Pastaj rikthimi i tij nga BBC në Londër solli një frymë tjetër në artin e të drejtuarit në ekran. Sot më shumë sesa për profesionin do të flasim për Adin, njeriun që njohim pak”, -ka shkruar Alketa Vejsiu në një njoftim në Instagram, bashkëngjitur një fotoje përkrah Adi Krastës.