Nisma “Këpucët e Krishtlindjes”, gëzon qindra fëmijë
Duken kohë Migjeniane por shumë fëmijë sot në vendin tonë ende nuk kanë plotësuar nevojat bazë të jetesës.
Një palë këpucë janë gëzimi më i madh që ata presin për fundvit. Për të folur për nismën më të veçantë për festat sot në studion e “Jeto me Orën” ishte e ftuar Jonida Kumaraku, e cila tregoi për nismën “Këpucët e Krishlindjes” dhe përjetimet e marra prej 4 vitesh nga kjo nismë. Një nisëm e cila ka për synim të mbledhë për fëmijët në nevojë këpucë, në këtë prag festash kur të gjithë festojnë e presin dhurata apo tryeza të mbushura plot , shumë të tjerë janë në kushte mbijetese.
“Ne na nisi si ide për fëmijët në nevojë si mund t’i bënim të lumtur në prag Krishtlindjesh dhe për çfarë ata mund të kishim më tepër nevojë ata në këtë moment. Meqenëse ishte dimër ftohtë ideja e parë që na shkojë në mendje ishin këpucët dhe kështu nisi e gjitha, derisa rrugës na u bashkuan shumë organizata dhe njerëz të cilat na mbështetën” u shpreh Kumaraku.
Ajo tregoi gjithashtu sesi ata bëjnë identifikimin e rasteve.
“Na ndihmojnë shumë njerëzit vullnetar në organizata të ndryshme apo mësuesit e këtyre fëmijëve që kanë nevojë dhe nuk është aspak e vështirë, pasi i identifikojmë ne u marrim të dhënat për numrin e këmbës dhe ua dërgojmë” u shpreh Jonida Kumaraku.
Jonida tregoi se cilët ishin ata persona që ajo ua ka treguar së pari si ide këtë nisëm.
“Të parët ishin miqtë e mi të cilët pasi e dëgjuan si ide më kanë mbështetur shumë, gjithashtu edhe familja ime apo fisi të cilët tashmë çdo vit sa nis nisma më marrin në telefon dhe më pyesin Jona çfarë numri i dëshiron këpucët” u shpreh Kumaraku.
Ajo tregoi se grupi i vullnetarëve çdo vit rritet dhe sivjet janë një grup prej 60 anëtarësh. Pjesa më e bukur e nismës sipas saj është dorëzimi i këpucëve tek fëmijët.
“Nuk ka moment më të bukur se kur dorëzojmë këpucët unë i mbaj si kujtimet më të bukura që kam nga kjo nisëm. Rasti më i veçantë për mua ka qenë kur kemi qenë në Shkodër në një familje të një gruaje të ve e cila kishte 5 fëmijë dhe na ka falenderuar shumë pasi e kishte të pamundur t’ju blinte të gjithë fëmijëve këpucë.
Në momentin që ne po prisnim fëmijët të cilët po ktheheshin nga puna edhe pse ishin minoren ata punonin, nuk kisha parë reagime më të sinqerta se kur ata hapën kutin e këpucëve” u shpreh Jonida Kumaraku.
Ajo tregoi se për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e nismës mund të kontaktojnë në rrjetet sociale facebook dhe instagram Këpucët e Krishtlindjes, deri në datën 20 dhjetor.