Një ditë pasi mbushi 85-vjeç, vajza sjell poezinë-mesazh të Kadaresë
Besiana Kadare, vetëm dy ditë pasi i ati, Ismail Kadare festoi 85-vjetorin ka sjellë në kujtesë poezinë-mesazh “Koha e pamjaftueshme”. Duket se vargjet e poezisë qëndrojnë aktuale edhe sot, 21 vjet pas shkrimit të saj. Koha e pamjaftueshme për të qëndruar, për të ikur, për muzgun, një shenjë e pakuptueshme që bëhet për të gjithë, për të ardhur ajo, ikja. Një kohë e pakohë për poezinë e penën e Kadaresë. Kujtojmë se Besiana Kadare u zgjodh në vitin e kaluar si zëvendëspresidente e Asamblesë së OKB-së.
Koha e pamjaftueshme
S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.
Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.
Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem te varri humbak.
Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këtë peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.
I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.
Ismail Kadare, 1990/