Një lindje thuajse e vështirë – Nga Vesa Tufa
Qëndroi ndenjur. Anën e majtë të kokës e ndjente të mpirë. Po mendonte të merrte ndonjë tabletë për lehtësimin e dhimbjes, por në atë moment një therje e fuqishme dhe fill pas saj dy therje të tjera të hidhura, ia errësuan vështrimin. Priti dhëmbështrënguar që t’i qetësohej sadopak kjo formë agresive dhimbjeje. Por më kot. Dhimbja filloi të shtohej crescendo, tashmë me rrahje të fuqishme. Vuri dorën në tëmthin e majtë dhe u shtri kruspull në shtrat. Ndjente se brenda mureve të kokës, në anën e majtë, diku thellë, dikush godiste, si goditjet e nëndheshme, a thua kërkonte të hapte një vrimë për të dalë jashtë mureve të kafkës së tij. Mbeti për një kohë të gjatë ashtu, i kruspullosur, me dhimbjen paralizuese dhe dhëmbët shtrënguar, duke u lutur me vete: “Oh Zot, bëj që të më lëshojë kjo torturë! Bëj që ta ndjej veten edhe një herë siç isha më parë, siç kam qenë gjithmonë!”
Në vend të përgjigjes, ndjeu një therje të mprehtë vertikale diku në gropën e syrit të majtë. Instinktivisht, preku me pëllëmbë syrin e majtë dhe pëllëmba iu lag. “Dhimbja qenka shndërruar në gjendje të lëngshme. Kjo do të thotë se diçka e frikshme po ngjet me mua!” Dhe për herë të parë në jetën e tij, e goditi mendimi fatal se mos ndoshta rrënjët e kësaj dhimbjeje ishin fillimi i një metastaze tumori. “Atëherë, cili qe kuptimi i jetës sime prej zoti? Dhe, a vdes një zot?” – mendoi me vete. Pati edhe një therje tjetër të fuqishme, që ia erri dhe vështrimin e syrit të djathtë dhe në atë çast dëshiroi fort që të mos e kishte fare kokën mbi shpatulla. U krodh në një hon dhimbjeje të pafund, e cila dukej se nuk kishte të sosur.
Mesa dukej, kushdo që godiste në thellësi, brenda kokës së tij, kërkonte vërtet të hapte një tunel, të shembte muret e kafkës dhe të dilte jashtë në liri. Mendimi i fundit para se të verbohej plotësisht nga dhimbja dhe të humbte ndjenjat – ishte mendimi që kishte patur çdo ditë gjatë muajit të fundit: ideja e pashqitshme për të patur një fëmijë që të ishte krejt i veti. Ëndërronte që ky fëmijë të ishte vajzë.
Prandaj nuk u trondit shumë kur, pas një kohe të pacaktuar, u zgjua me trurin krejtësisht të kthjellët, pa asnjë gjurmë dhimbjeje – dhe pa mbi shtrat një foshnje ngjyrë trëndafili që po qante.
Zoti Zeus shtriu duart dhe e mori beben në krahë. Ishte siç e kishte ëndërruar: një mrekulli!
-Mirë se erdhe në botën tonë të Olimpit, bija ime, Athina! – i foli ai.
©Vesa Tufa