Një pemë dhe një stol në Parkun e Liqenit për Hueyda El Saied nga familja, në ditën e saj të lindjes
Sot në ditën e saj të lindjes, familjarë dhe miq të, Hueyda El Saied, kanë përkujtuar prezantuesen dhe balerinën e ndjerë, e cila ndërroi jetë pas betejës me sëmundjen e rëndë.
Bashkëshorti i saj, Thierry Grosjean, ka zgjedhur ta kujtojë dashurinë e jetës së tij ndryshe, duke vendosur një stol me emrin e saj dhe duke mbjellë një pemë në Parkun e Liqenit të Tiranës.

“Sot është një ditë e veçantë për Gabrielin dhe për mua, por gjithashtu edhe për familjen dhe miqtë këtu. Sot ndodhemi këtu, pikërisht në ditën e lindjes së Hueydës, për të kremtuar jetën, për të kujtuar Hueydën si një artiste. Faleminderit për pemën dhe për stolin! Pema simbolizon botëkuptimin e Hueydës për dashurinë. Për mua dhe Gabrielin, por edhe familjen po ashtu është shumë i rëndësishëm fakti që jemi këtu, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe bukurinë e jetës dhe Hueydës si një artiste”, tha Thierry.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Hueydën do e kujtojë si një vajzë me energji pozitive, që dhuronte shumë dashuri.
“Do mbahemi mend si njerëz që përqafuam të bukurën, të mirën dhe lamë një mesazh, apo si njerëz që thjesht jetuan pa patur asnjë impakt për shoqërinë dhe miqësinë e tyre? Më vjen mirë që sot jemi bashkuar dhe fakti që të gjithë e kemi njohur Hueydën, thuajse na bën si një familje me lidhje të padukshme. Kjo është fuqia e një njeriu të mire, pozitiv dhe një shpirti të bukur e zemër pranverore, si kjo ditë e sotme, siç ishte Hueyda gjithë jetën e saj”, tha ai.