Një tjetër yll në familjen Lipa! Rina hyn në botën e kinemasë, roli i parë në filmin britanik

Rina Lipa, 24 vjeçe, aktore dhe modele dhe po, motra më e vogël e yllit global pop Dua Lipa është gati për debutimin e saj në ekranin e madh. Ajo do të shfaqet për herë të parë në filmin kriminal britanik A Gangster’s Life, ku luan krah Jonny Weldon (i njohur nga One Day) dhe Tony Cook (Dune: Part Two)

Filmi, që pritet të publikohet në janar, e vendos Rinën në rolin e Scarlett: një grua që jeton mes një bote ku mbretërojnë gangsterët e pamëshirshëm, dhuna, vrasjet dhe tradhtitë. Scarlett është pjesë e ekipit brutal të bos-it të krimit Emery, dhe bëhet pjesë e lojërave të rrezikshme kriminale ku përfshihen dy mashtruesit e vegjël Ant (Cook) dhe Dick (Weldon).

A Gangster’s Life shënon gjithashtu debutimin si regjisor të kinematografit Zak Fenning dhe vjen si një homazh për klasikët e filmave gangsterë, si Lock, Stock and Two Smoking Barrels dhe The Gentlemen të Guy Ritchie, siç raporton Female First.

Në kastin e filmit marrin pjesë edhe Tomi May, Christina Gkioka, Bradley Turner dhe Sasha Latoya. Filmi do të jetë i disponueshëm në platformat digjitale në Mbretërinë e Bashkuar më 19 janar, nëpërmjet Miracle Media.

Historia ndjek Ant dhe Dick, dy mashtrues të vegjël që, pas një takimi me gangsterin e egër londinez Emery (May), rekrutohen me ngurrim në botën e tij të errët të krimit. Scarlett (Rina Lipa) është pjesë e afërt e këtij rrethi, por ngjarjet dalin jashtë kontrollit kur një anëtar i bandës vritet, duke e detyruar dyshen të arratiset drejt Greqisë.

Familja Lipa nuk është e re në botën e filmit: Dua Lipa ka debutuar më herët si Mermaid Barbie në filmin Barbie të Greta Gerwig në vitin 2023 dhe më pas si spiunja enigmatike LaGrange në Argylle të Matthew Vaughn, krahas Henry Cavill, Bryce Dallas Howard, Sam Rockwell dhe Bryan Cranston. Tani, është radha e Rinës të ndërtojë rrugën e saj në kinematografinë ndërkombëtare.

Share With:
Translate »
30 Views