Një vit nga tragjedia ku humbi jetën Arjan Sala, si duket sot familja e tij dhe djali 4-vjeçar

Si sot, një vit më parë flakët e zjarrit do të shuanin përgjithmonë jetën e 32-vjeçarit Arjan Sala.

I riu u sakrifikua për të shpëtuar jetën e kolegëve të tij pas zjarrit që përfshiu një magazinë pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë.

I cilësuar edhe si hero, pasi mbeti mes flakëve për të shpëtuar kolegët, Arjan Sala prej 5 vitesh punonte në qendrën tregtare si punonjës i sigurisë.

Tragjedia që e ndau nga jeta në moshë tepër të re, i gjeti krejtësisht të papërgatitur edhe familjarët.

Ngjarja u përjetua më rëndë nga bashkëshorja Merita Sala, e cila në moshën 25 vjeçare, përtej humbjes së të shoqit, do të rriste e vetme djalin 4-vjeçar.

Syri Tv

Në 9 vite njohje me bashkëshortin e saj, Merita tregon të gjithë mirësinë që e karakterizonte atë si njeri, si bashkëshort dhe baba.

Sakrifica që ai bëri për kolegët, ishte pjesë e karakterit të tij. Humanizmin e shfaqte jo vetëm në familje, por edhe tek të panjohurit, ndërsa dashamirësinë ndaj të tjerëve, ai e dëshmoi më së miri edhe me aktin e fundit që kreu në jetën e tij.

Arjan Sala la pas një djalin e vogël 4-vjeçar, bashkëshorten e tij, prindërit dhe vëllanë.

Që në moshën 18-vjeçare, kur nisi edhe punën e parë, ai u kujdes për familjen duke u munduar t’i siguronte të ardhura.

Një vit më parë, flakët që nuk shuheshin shtuan ankthin e papërshkrueshëm të familjes së 32-vjeçarit, derisa më 27 Mars 2021 u gjet trupi i pajetë, pas tri ditësh kërkimi intensiv.

Vdekja e të riut erdhi si pasojë e asfiksisë, pasi trupi i tij është gjetur në pozicionin e përmbysur dhe me disa djegie.

Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë fiksuan Arjanin teksa vraponte të futej në zonën e rrezikut për të shuar flakët dhe për të nxjerrë punonjësit e tjerë, duke bërë që guximi i tij të trimufonte mbi frikën.

Kjo e bëri atë të konsiderohej hero jo vetëm nga njerëzit, por të shpallej edhe  zyrtarisht hero i popullit, nga Këshilli i Ministrave, por edhe nga presidenti që i akordoi pas vdekjes “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

Aktet heroike gjithnjë janë  mbresëlënëse, por në realitetin e sotëm janë gjithnjë e më të pakta, madje duke shkuar drejt zhdukjes.

Ndaj sot Arjan Sala, është heroi për të cilin të gjithë kanë nevojë, një hero i cili u vetëflijua për të shpëtuar të tjerët…

 

Share With:
Translate »
308 Views