Njihuni me adoleshentët varrmihës
Ndërsa pjesa më e madhe e adoleshentëve as që e kanë idenë se çfarë do të bëjnë në jetë, dy 17-vjeçarë nga Britania e kanë nisur punën e tyre dhe zgjedhja që kanë bërë është disi e çuditshme.
“Sonte jam në shërbim. Asnjëherë nuk është bukur të shkosh për të marrë një të vdekur. Mund të shkosh në një adresë e të gjesh një moshatar të vdekur, apo mbase dikë më të madh. Atëherë kupton se gjithçka mund të ndodhë”, thotë Beni.
Pasi mbaron detyra e Benit, nis ajo e Ellit, e cila bën që i ndjeri apo e ndjera të marrin kujdesin dhe respektin e duhur, gjë që lehtëson disi edhe dhimbjen e familjarëve.
“Nuk e kam problem të jem pranë vdekjes, sepse gjithnjë kam qenë ndryshe dhe nuk ka dyshime që kjo industri është ndryshe. Nuk mendoj se kjo punë do të më mërzitet ndonjëherë, e nuk besoj se mund të gjej një punë tjetër ku mund të tregoj veten”, thotë Elli.
Elli thekson se i kupton shumë mirë njerëzit dhe dëshiron t’i ndihmojë, prandaj mendon se ky profesion është i duhuri. Shumë mund të ngrenë vetullat me zgjedhjen e Ellit dhe Benit, sidomos në këtë moshë të re, por fundja fare, herët apo vonë të gjithë kuptojmë se vdekja është e vetmja gjë e sigurtë në jetë.