Njihuni me vajzën e jashtëzakonshme të “Zyber Hallulli”, nga thyerja e rregullave, tek pjesmarrja në Eurosong
Newsbomb.al për festën e Krishtlindjeve vendosi të dërgojë disa dhurata të vogla dhe të kalojë disa orë të këndshme me fëmijët dhe adoleshentët e Shtëpisë së Fëmijës në Tiranë “Zyber Hallulli”.
Gjallëri dhe gëzim, këtë dinin të përcillnim më së miri vogëlushët dhe adoleshentët që takuam. U njohëm me 31 fëmijë dhe adoleshentë. U prezantuan një nga një… por ne vendosëm të njohim më shumë një prej tyre. S.R është 13 vjeçe. Jeta e saj është e mbështjellë mes shkollës dhe shtëpisë “Zyber Hallulli”. Asaj i pëqen letërsia dhe biologjia. Çdo ditë kanë një program të caktuar për ta ndjekur por që nuk mungojnë gjërat e bukura dhe shëtitjet në Tiranë.
13 vjeçarja tregon për newsbomb.al si është një ditë rutinë për të, ëndrrat që ka dhe angazhimet e fundit. I pëlqen muzika dhe gatimi. Për t’u bërë këngëtare nuk ka shpresë sepse zëri s’i premton por gatimin e ka pasion të madh ndaj e shikon si një profesion të ardhshëm. Mbi të gjitha ajo ka “thyer” dhe rregulla e këtë e tregon në intervistën e mëposhtme.
Intervista per newsbomb:
Prezantimi: S.R jam 13 vjeçe jam në klasë të 7 në shkollën “Osman Idrizi” me origjinë jam nga Tropoja. Lëndët e mia të preferuara jane biologjia dhe gjuha.
1. Si është një ditë e jotja rutinë?
Zgjohem në mëngjes bëhem gati për në shkollë. Shkoj në shkollë nga ora 8 deri në orën 1 e gjysme. Në orën 1 e gjysme vij në shtëpi, haj drekë dhe bëj gjërat e mija personale. Nga ora 2 deri në orën 4 kam kohë të lirë që mund të lozim mund të flemë, mund të lexoj ndonjë libër në biblotekën që ne kemi, mund të shikoj televizor. Pra bëj gjëra të ndryshme varësisht situatës dhe mundësive të momentit. Pastaj nga ora 4 deri në orën 7 kemi studime që përgatitemi për në shkollë. Nga ora 7 deri në 10 përgatitemi për nesër, bëjmë rrobat gati, librat, hamë darkën.
2. A angazhohesh nëpër aktivitete në shkollë, çfarë të pëlqen të bësh më shumë?
Nuk e kam të vështirë në shkollë, apo ndonjë ankesë që nuk rri dot. Të them të drejtën nuk është se më mërzitet shkolla. Kam shumë shoqe, i kam të gjitha të klasës dhe jashtë klase.
3. Del shpesh me shoqet?
Jashtë shkollës nuk dal. Sepse kështu i kemi rregullat, por nëse marr leje mund të rregullohemi. Kur duam të dalim diku, apo bëjmë ndonjë gjë jashtë shtëpisë, marrim leje dhe së bashku me shoqëruesit shkojmë.
4. Të ka penguar fakti që çdo kohë je nën mbikqyrje dhe s’mund të bësh ç’të duash?
Jo s’është se e kam problem ngaqë jam mësuar tani. Kam gati katër vjet që jetoj këtu dhe nuk më pengon fakti që duhet të zbatoj një rregullore. Jam mësuar me rregulla.
5.Shoqet e tua dalin edhe pas shkolle, të tundon dhe ty ky fakt? Do doje që dhe ti të ishe e “lirë” sa ata?
Kam dëshirë, ndonjëherë edhe e bëj unë, por nuk iu tregoj gjë këtyre (qesh). Sapo tregova një sekret. Lirinë e kam por brenda rregullave sepse shkoj dhe tek familja ndonjëherë.
6.Ke qenë pjesë e Eurovision, kur dhe si ka qenë si eksperiencë për ty?
Kam qenë këtë vit për festat e nëntorit. Qëndrova katër ditë. Isha anëtare jurie dhe përfaqësoja Shqipërinë. Më shkoi shumë mirë. Ishin emocione të mëdha, ishte hera e parë që isha në një skenë kaq të madhe sepse isha dhe jashtë shtetit.
Nga Shqipëria ishim 2 veta, unë dhashë pikët ndërsa Ana Kodra ishte përfaqësuese në këngë, pra këndoi.
7.Çfarë dëshirash ke… ku e shikon veten në të ardhmen, çfarë do të bëhesh?
Unë kam shumë qejf gatimin dhe muzikën e dëgjoj shumë. Më pëlqen që edhe ta dëgjoj por dhe të këndoj. Kam qejf që të merrem me muzikë në të ardhmen por nuk kam zë. E kam ëndërr por nuk besoj se do të bëhet realitet. Sepse nuk e kam zërin, pasi kam bërë prova te “The Voice of Kids”.
8.Atmosfera në Tiranë për festa është kaq e bukur, për shembull “Fshati i Festave”. Sa e ke shijuar?
Kam dalë 3 ose 4 herë. Është bërë shumë bukur krahasuar me vitete e tjera. Kemi qenë të gjithë bashkë. Më pëlqen shumë treni, ai që është për më të rritur jo për të vegjël fare. Dhe ajo varka është shumë e bukur por nuk hypi dot se kam frikë. Bëj si trime por nuk jam dhe aq sa hiqem.
9.Si është të jetosh në shtëpinë “Zyber Halluli”?
Nuk më bezdis fakti që janë shumë vete. Kur shkoj në shtëpinë time dua që të vij prap këtu sepse aq jam mësuar këtu, sepse dua të rri me të gjithë këtu. Domethënë është edhe gjë e keqe edhe gjë e mirë. E duam shumë nëjri tjetrin dhe kënaqemi pafund. Ne jemi të ndarë në departamente, por për festa bëhemi bashkë të vegjël dhe të mëdhenj.
9.Një mesazh urimi?
Uroj të gjithë shokët e mi, shtëpinë e madhe që jetoj këtu, ju uroj gëzuar Krishtlindjet dhe vitin e ri. Uroj dhe të gjithë stafin dhe ndjekësit e newsbomb dhe faleminderit që ishin në shtëpinë tonë të madhe sot.