“Nuk ia thoja dot që e bija do t’i vdiste”, Rama flet për takimin me babain e 20 vjeçares që humbi jetën
20 vjeçarja Xhesika Biqiku, humbi jetën ditën e sotme në spitalin e Traumës. Ajo jetonte në zonën e Kombinatit në Tiranë dhe një tullë nga pallati ku banonte i kishte rënë mbi kokë. Për katër ditë ajo kishte rënë në gjendje kome dhe familjarët po luteshin që të shpëtonte.
Mëngjesin e sotëm, kur Xhesika ende nuk kishte ndërruar jetë, babai i saj, Ilia Biqiku u takua me kryeministrin Edi Rama dhe i kërkoi ndihmë që të bijën t’ia dërgonin për ndihmë të specializuar në Itali, por fatkeqësisht vajza nuk mundi të mbijetonte. Gjatë një takimi me ambasadorët në Pallatin e Brigadave, Rama është shprehur se e dinte që 20 vjeçarja nuk do t’ia dilte dot pasi gjendja e saj ishte me të vërtetë e rënduar.
“E dija që ajo nuk do ia dilte dot. Xhesika vdiq ditën e sotme, duke e çuar numrin e viktimave në 51, dhe pas diskutimit që pata me mjekët, e dija që s’do ia dilte dot. Takova të atin sot paradite por nuk ja thoja dot këtë lajm të hidhur,”- u shpreh Rama.