Nxënësi nga Cërriku fiton medalje ari në Olimpiadën Botërore ‘Neo Science’ në SHBA

Një nxënës shqiptar ka arritur një sukses të rëndësishëm në një arenë ndërkombëtare të dijes. Loris Qose, nxënës i klasës së nëntë në shkollën “7 Marsi” në Cërrik, u vlerësua me medalje ari në Matematikë dhe medalje bronzi në Kimi në Olimpiadën Botërore “Neo Science”, e zhvilluar në Orlando, SHBA. Talenti dhe përgatitja e tij u dalluan mes qindra bashkëmoshatarëve nga vende të ndryshme të botës.

Për Lorisin, ky rezultat përfaqëson kulmin e një pune të gjatë dhe të vazhdueshme. Ai e përshkruan pjesëmarrjen në këtë olimpiadë si një përvojë unike, jo vetëm për vlerësimin akademik, por edhe për emocionin e përfaqësimit të Shqipërisë në një skenë ndërkombëtare.

“Të ngresh flamurin shqiptar në atë skenë në Amerikë është një nga krenaritë dhe nderet më të mëdha që një nxënës duhet ta provojë njëherë në jetë. Emocionet që ndjeva atë ditë ishin shumë të bukura, kur u ngrita dhe hapa flamuri,” tha ai për Euronews Albania. “Talentin në matematikë e zbuloi mësuesja ime në klasën e 6-të, e cila më motivoi shumë dhe më dha mësime mbi nivelin e klasës sime.”

Nxënësi nga Cërriku fiton medalje ari në Olimpiadën

Mësuesja Flutura Hoxholli, e cila ka punuar me Lorisin për katër vite radhazi, thekson se arritja është rezultat i një pune të strukturuar, me objektiva të qarta dhe përkushtim të vazhdueshëm, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së hershme të talenteve në shkollë.

Sipas Hoxhollit, roli i mësuesit është vendimtar në identifikimin dhe zhvillimin e talenteve. Ajo thekson se pa vëmendjen dhe punën e vazhdueshme të mësuesit, potenciali i nxënësve mbetet i pashfrytëzuar. Në të njëjtën kohë, ajo nënvizon nevojën për më shumë mbështetje institucionale, duke theksuar se shkollat me nxënës të talentuar kanë nevojë për orë shtesë pune dhe kushte më të përshtatshme, pasi aktualisht kjo mbështetje mungon dhe puna zhvillohet shpesh jashtë kornizës zyrtare të sistemit arsimor.

Share With:
Translate »
0 Views