Nxënësit autikë, mungojnë mësuesit ndihmës

Prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të spektrit autik kërkojnë mësues mbështetës në çdo shkollë. Janë rreth 5 mijë fëmijë që frekuentojnë sistemin arsimor dhe rreth 40% e tyre janë me probleme autike.

“Me spektrin e autizmit kemi 1777 fëmijë që frekuentojnë arsimin, por është një shifër e atyre që e kanë deklaruar fëmijën me këtë spektër. Sipas ligjit, duhet të jetë një mësues për dy fëmijë dhe nuk e kemi këtë raport. Kemi një raport ku mësuesi është me 5-7 fëmijë”.

Pjesë e kërkesës së prindërve është jo vetëm shtimi i  numrit të mësuesve ndihmës por ata duhet të jetë edhe me arsim special.

“Djali im është 12 vjeç dhe shkon në shkollën “Hasan Vogli” dhe për momentin nuk kanë asnjë mësues ndihmës”.

“Fëmija im shkon në shkollën “Kongresi i Manastirit”, për momentin është një mësuese, por shkolla ka rreth 14-15 fëmijë me probleme. Djali im është në klasë të tetë dhe e ka të domosdoshme mësuesen ndihmëse sepse po kalon edhe periudhën e adoleshencës”.

Mungesa e mësuesve mbështetës në shkollat publike për fëmijët me aftësi ndryshe ka detyruar prindërit që të paguajnë para nga xhepi.

“Unë e kam gjetur gjithnjë zgjidhjen vetë, nuk është se kam marrë shërbim nga shteti. Edhe ajo që kam marrë mund të ketë qenë një orë që nuk është e mjaftueshme për fëmijën tim dhe jam detyruar ta paguaj vetë, nga xhepi im”.

Në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave.

“Prindërit kanë njoftuar se nëse nuk do të zgjidhen këto problematika, do të vijnë sërish te Ministria e Arsimit, bashkë me fëmijët për t’i lënë fëmijët aty dhe pastaj le të merren ata. Nëse edhe këtu nuk do të ecë, kemi vendosur të shkojmë në parlament duke menduar që t’i lëmë të gjithë deputetëve nga një fëmijë t’i mbajnë nga një muaj dhe të kuptojnë se çfarë është autizmi”.

Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit për vitin shkollor 2020-2021 në sistem ishin 1260 mësues mbështetës, por këtë vit edhe pse shkolla u shty me dy javë dhe nisi më 27 Shtator, ende nuk janë lidhur kontratat. Sipas Ministrisë kontratat pritet të mbyllen javën që vjen.

Share With:
Translate »
173 Views