Nxënësit helmohen me karamele, reagon AKU: Janë brenda parametrave
Fiks Fare ka ndjekur nga afër rastin e helmimit të disa fëmijëve në shkollën “Eftali Koçi” në Durrës dhe ka konstatuar se tregtarë ambulantë të paligjshëm u shesin nxënësve produkte ushqimore të pakontrolluara dhe lehtësisht të falsifikueshme. Pas konfirmimit të Spitalit të Durrësit, se fëmijët janë helmuar nga ushqimet e konsumuara, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pretendoi se produktet e kontrolluara ishin brenda standardeve.
Por, Fiks Fare ka zbuluar se produktet ushqimore që shiten pranë shkollës janë pa etiketë, pa kundër-etiketë në shqip si dhe me data të skadencës të manipulueshme.
Kështu ishte edhe rasti i 5 fëmijëve nga Durrësi, të cilët pas konsumimit të disa karameleve dhe produkteve të tjera ushqimore, janë ndjerë keq.
“Unë konsumova këto karamele dhe më pas u ndjeva keq. Nuk kisha ngrënë asgjë veç këtyre. Fillova të vjell dhe kisha dhimbje koke” tregon një fëmijë i klasës së 5-të, i cili u shtrua në spital për helmim. Një tjetër bashkëmoshatar i tij sqaron se para se të konsumonte karamelet kishe ngrënë një sanduiç dhe një byrek të cilat i kishte blerë tek muri i shkollës. Prindërit të shqetësuar janë shprehur për Fiks Fare se janë lajmëruar nga mësuesi.
Ata thanë se menjëherë i kanë çuar fëmijët në Spitalin e Durrësit ku kanë marrë mjekim për helmim. Ai sqaroi se disa persona vijnë me tepsi dhe kuti kartoni e u shesin fëmijëve byrekë, sanduiçë e një sërë produktesh të ambalazhuara. “Këtë radhë ndodhi që 5 fëmijë të klasës së pestë janë ndjerë keq i çuam në spital, u dyshua për helmim. Gjithsesi ata morën mjekim”,- u shpreh ai.
Drejtoria e Shëndetit Publik, Durrës, tha se dyshimet janë për helmim, megjithatë ende nuk është marrë konfirmimi nga autoritetet e tjera: “Ne e kemi verifikuar situatën. Ishim në spital, dyshohet të kenë konsumuar ushqime, mund të jetë helmim, por ende nuk e dimë konkretisht se kush e ka shkaktuar. Jemi në pritje të përgjigjes”,- tha Lejdina Tepshi, mjeke epidemologe.
Ndërkohë, Fiks Fare mori një konfirmim zyrtar nga spitali i Durrësit, i cili nëpërmjet një shkrese tha se bëhej fjalë për intoksikacion ushqimor, që do të thotë se në produktin e konsumuar ka pasur toksina, helme.
Nga Policia Bashkiake Durrës mësohet se nuk ka pasur të tilla inspektime pasi ka munguar denoncimi nga institucionet, por edhe qytetarët