Nxënësit në Priskë mbeten pa shkollë se i mungon transporti, drejtoresha lë pa përgjigje banorët
Fëmijët e fshatit Priskë e Vogël në Tiranë nuk kanë shkuar në shkollë, për shkak të mungesës së transportit.
Në nisje të javës së dytë të vitit arsimor, prindërit e tyre u mblodhën për të kërkuar një zgjidhje.
“Të na sigurojnë transportin, këtë duam.”
“Të na sjellin furgonin të marrë kalamajtë siç ka qenë.”
“Nuk i kemi çuar fare fëmijët në shkollë.”
Banorët e zonës thonë se nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet dhe pse kanë dërguar shkresë zyrtare për faktin se fëmijët e tyre po privohen nga arsimimi.
“Këto letra që kemi bërë ne sot kanë rënë në kosh, ja kam dërguar me e-mail edhe Edi Ramës te “Qeveria që duam” që të marrë zgjidhje ky problem. Fëmijët tanë kanë të drejtë të ulen në bankat e shkollës.”
“Ju lutem, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të na vijnë të na ndihmojnë qoftë me fëmijët, qoftë me transportin, qoftë me rrugën.”
Banorët thonë se pas mbylljes së shkollës tri vite më parë atyre u është premtuar transporti i fëmijëve me fondin e Ministrisë së Arsimit.
“Ata i marrin nxënësit, është më mirë këtu, transportin e ka shtetin është më mirë për fëmijët tuaj, na thanë. Tani ata nuk japin asnjë përgjigje.”
Ora News ishte me banorët deri në momentin që do të takonin Drejtoreshën e shkollës por kjo e fundit refuzoi të përgjigjej.
“A ka mundësi?” ishte përgjigjja e drejtoreshës.
Qytetarët u shprehën se të mërkurën do të marrin dhe fëmijët e tyre për të protestuar nëse nuk marrin një zgjidhje.