Pandemia përkeqësoi jetesën e fëmijëve në situatë rruge, qytetet më problematike
Situata e fëmijëve në situatë rruge duket se është përkeqësuar në këtë vit pandemik. Më shumë fëmijë në Shqipëri e kanë braktisur shkollën dhe fëmijërinë e tyre për t’u marrë me punë apo aktivitete të tjera.
E ftuar në “Wake Up”, menaxherja e Programit për Mbrojtjen e Fëmijëve në “Save the Children”, Edlira Ngjeçi tha se aktualisht fenomeni është prezent, pasi hasin në mënyrë të përditshme fëmijë në situatë rruge.
“Fëmijët në situatë rrugë janë ndër grupet më vulnerabël në pjesën e kategorive në nevojë në Shqipëri dhe në fakt situata paraqitet problematike. Studimi më i fundit kombëtar, i cili ka bërë një vlerësim qoftë cilësor apo sasior të situatës së fëmijëve në situatë rruge, në nivel kombëtar daton në fakt në vitin 2014.
Studimi bëri një vlerësim të detajuar të situatës, ku ishte shumë e qartë se fenomeni është problematik.
Në fakt, aktualisht, pavarësisht ndryshimeve të shumta, duhet të themi se fenomeni është prezent. Hasim të mënyrë të përditshme raste të fëmijëve në situatë rruge.
Studimi e tregon shumë qartë që rreth 85% e rasteve të identifikuara vijnë nga qytetet e mëdha. Tirana, Shkodra janë qytet që kanë një numër më të madh të fëmijëve të përfshirë në situatë rruge. Ndërkohë, nëse u referohemi qyteteve të tjera, absolutisht Durrësi, Elbasani”, sqaroi ajo.
