Parandjenjë apo…detaji rrëqethës: Çfarë thoshte Shpati në një intervistë pak javë më parë!
Ndarja e parakohshme nga jeta e Shpat Kasapit ka tronditur publikun dhe botën e artit, por njëkohësisht ka rikthyer në vëmendje një detaj të dhimbshëm nga historia e familjes së tij. Tragjedia që e goditi këngëtarin në kulmin e jetës duket se përsërit një fat të trishtë që ai kishte përjetuar shumë herët.
Sipas asaj që është bërë e ditur nga mediat në Maqedoninë e Veriut, Shpati, i cili u shua në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak në Itali, kishte humbur babain e tij kur ishte vetëm 13 vjeç. Ai ishte rritur vetëm me nënën, ndërsa sot, në mënyrën më të rëndë të mundshme, është i biri i tij, Roeli i vogël, që mbetet pa të atin.
Vetëm pak javë para ndarjes nga jeta, në një intervistë televizive, këngëtari kishte folur me mall për periudhat e rëndësishme të jetës së tij dhe për mungesën e të atit. I pyetur se me kë do të dëshironte të pinte një kafe, qoftë edhe me dikë që nuk jeton më, ai u shpreh se do të donte mbi të gjitha një përqafim nga babai, duke shtuar se ishte shumë i vogël kur e humbi dhe se ai kishte qenë një njeri i jashtëzakonshëm.
“Me babin do të kisha dashur një përqafim të fortë, pastaj një kafe… Kam qenë shumë i vogël. Ai ishte i veçantë,” qe shprehur ai.
Në të njëjtën bisedë, Shpati kishte shprehur mirënjohjen e tij për njerëzit më të afërt, duke falënderuar partneren, familjen dhe të gjithë ata që kishin qenë pjesë e udhëtimit të tij. Kur fliste për djalin, i qëndronte besnik ëndrrave të thjeshta të një babai krenar, duke thënë se Roeli nuk kishte pse të ndiqte hapat e tij në muzikë, mjaftonte të ndërtonte një të ardhme të fortë, qoftë edhe si sportist.
Sot, pas kësaj ngjarjeje të rëndë, fjalët e tij marrin një peshë edhe më të thellë, duke e bërë historinë e familjes Kasapi një tragjedi të përsëritur brez pas brezi.