Pas divorcit, nëna pengon takimin e detyrueshëm të fëmijës me babain
Në 5 Korrik të këtij viti, emisioni Stop në Tv Klan trajtoi problemin e Gurisel Selimllarit në Pogradec, i cili është divorcuar me gruan dhe nga martesa kanë një djalë. Gjykata ka vendosur që babai ta takojë djalin çdo të premte për dy orë në zyrën përmbarimore.
Por takimi nuk realizohej, pasi e ëma nuk zbaton vendimin gjyqsor. Pas dy vjetësh përmbaruesi shtetëror i vuri gjobë ish-bashkëshortes së Guriselit që nuk sillte fëmijën për takim me të atin. Me ndërhyrjen e “Stop”, Gurisel Selimllari realizoi takimin me djalin e tij.
Por duket se ky problem vijon ende. Guriseli u ankua sërish, se ish-bashkëshortja nuk e sjell djalin në takim dhe partneri i saj e kërcënon në telefon.
“Unë kam të drejtën e takimit sipas ndryshimit të vendimit që ta marr djalin tim nga e premtja deri të dielën 3 javët e para të muajit dhe javën e fundit pushim. Por kjo gjë nuk po realizohet nga ana e zyrës përmbarimore të Pogradecit. Ajo vazhdon të njëjtat probleme. Një herë e sjell dhe 2-3 herë nuk e sjell. Po bën 4 javë që fëmijën nuk e kam takuar. Më kanë premtuar do bëjmë kallëzim penal. Kallëzimi penal po bën 2 muaj, nuk është bërë akoma”, thotë Guriseli.
Gazetarja e emisionit Stop, Domenika Bajraktari, ishte sërish te zyrta përmbarimore në Pogradec së bashku me Guriselin.
Sipas vendimit të gjykatës, ish-bashkëshortja duhet ta sillte djalin në orën 14:00. Por edhe pse ky orar kishte kaluar, aty ndodhej vetëm gazetarja e Stop, Guriseli dhe përmbarusi. Ndërsa ish-bashkëshortja me djalin nuk kishte ardhur.
Pas ndërhyrjes së gazetares së Stop, ish-bashkëshortja u paraqit dhe premtoi se do të zbatojë vendimin e gjykatës.