Pas ngjarjes së rëndë në Ballsh, daja kërkon kujdestarinë e fëmijëve!
Pas ngjarjes së rëndë të fillimvitit, ku një 34- vjeçar vrau gruan dhe të motrën e saj në sy të dy fëmijëve, vëllai i viktimave ka depozituar një kërkesë në gjykatë, përmes së cilës synon kujdestarinë e dy të miturve, 7 dhe 3 vjeç.
Pas krimit që tronditi qytetin e Ballshit, fëmijët u dërguan në fshatin SOS, aty ku edhe aktualisht ndodhen, për të marrë një trajtim të specializuar pas traumës së shkaktuar, ku babi u vrau para syve nënë dhe tezen.
Konflikti nisi pasditen e 2 janarit. Autori i krimit të dyfishtë thirri për drekë edhe motrën e gruas, 18- vjeçaren me iniciale M.C. Bashkëshortja e tij 31- vjeçare, G.M i kërkoi të shoqit, Gazmend Musta të shkonte për vizitë te prindërit, të cilët jetonin në fshatin Drizar, por këtu ndeshi kundërshtimin e tij.
Pas debateve me bashkëshortin, gruaja është shprehur se do të merrte fëmijët dhe do të shkonte vetë në fshat. Kjo gjë e ka zemëruar së tepërmi Gazmendin, i cili ka thënë se ishte ai burri i shtëpisë dhe vendoste ai se çfarë do të bëhej. Fill pas sherrit, autori ka rrëmbyer thikën dhe ka goditur bashkëshorten, ndërsa motra e saj ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ajo ka rënë pre e sulmit fatal.