Pavarësia e Ukrainës, Veliaj shpërndan dhurata për fëmijët

Me rastin e festës së Pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga ambasadori Volodimir Shkurov vizituan një pjesë të refugjatëve të strehuar në Shqipëri. Teksa shpërndau disa dhurata për fëmijët ukrainas, Veliaj tha se Tirana do të ndihmojë në ndërtimin e kopshteve, çerdheve dhe shkollave në Ukrainë.

“Pas takimit me Presidentin Zelenski jam shumë i lumtur që qeveria jonë dhe Bashkia e Tiranës, do të përfshihen në procesin e rindërtimit të Ukrainës, duke i ndarë detyrat në qytete të ndryshme, ku fokusi ynë do të jetë kryesisht te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Ajo që ramë dakord me Presidentin e Ukrainës është se lufta (apo fatkeqësitë e ndryshme) mund të shkatërrojë pronën, një lagje, pasurinë, mund të prishë pallate, kopshte, shkolla, çerdhe, por ka diçka që lufta nuk e prish dot: dijen dhe njohuritë që kemi”.

Ambasadori i Ukrainës vlerësoi ndihmën e Shqipërisë për refugjatët e strehuar.

“E falenderoj kryetarin e Bashkisë sepse ai është një mik i Ukrainës. Falë tij, edhe rruga ku kemi ndërtesën e Ambasadës, mban emrin rruga “Ukraina e Lirë”. Vendi do rindërtohet me ndihmën e miqve tanë, ndaj do doja të uroja të gjitha nënat, që janë sot këtu, që të kenë mundësi të bashkohen sa më shpejt me të afërmit e tyre”.

Që nga nisja e sulmit në Ukrainë, në Shqipëri janë strehuar mbi 3 mijë refugjatë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Share With:
Translate »
154 Views