Pedofili i dyshuar për zhdukjen e 3-vjeçares, historia që ka fiksuar Anglinë për 13 vite me radhë

Një nga çështjet më misterioze në historinë e Britansië – zhdukja e 3-vjeçares Madeleine McCann, gjatë kohës kur ajo ishte me pushime në Portugali, në vitin 2007 – është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi policia dha informacion për një të dyshuar të ri.

Bëhet fjalë për një të burgosur gjerman, i cili po vuan dënimin për abuzim seksual me fëmijët. Ai po hetohet si i dyshuar për vrasjen e Madeleine, një tragjedi që nuk ka mundur të qartësohet as sot pas 13 vitesh.

Në qendër të tragjedisë është një familje, që ende nuk ka një përgjigje për atë që i ndodhi vajzës së tyre të vogël.

Çfarë ndodhi 13 vite më parë?

Në maj të 2017-ës, Gerry dhe Kate McCann po qëndronin në një apartament në Praia da Luz në Portugali, ku ishin me pushime, së bashku me tre fëmijët e tyre.

Çifti shkoi për darkë me një grup miqsh në një restorant aty pranë, duke i lënë fëmijët vetëm në gjumë. Ata i kontrollonin herë pas here fëmijët, por kur Zonja McCann u kthye në dhomë rreth orës 10 të mbrëmjes pa që Madeleine nuk ishte.

Zhdukja e saj bëri që të fillonin kërkimet ndërkombëtare dhe hetimet, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Historia preku zemrat dhe fiksoi gjithë Britaninë

Për shumë ditë me radhë historia e Madeleine qëndroi në faqet e para të gazetave dhe nuk u nda nga ekranet televizive. Të shumtë ishin dëshmitarët që panë vuajtjen e Gerry dhe Kate McCann.

Dhimbja e familjes u shtua edhe më shumë kur çifti u bë objekt kritikash, veçanërisht në shtypin tabloid, për faktin se i la fëmijët vetëm për të darkuar me miqtë.

Trauma e tyre u bë edhe më e madhe kur detektivët portugezë e morën çiftin në pyetje, si të dyshuar për zhdukjen e Madeleine. Hetimet ndaj tyre ndaluan në 2008-ën, për mungesë provash. Më pas avokati i McCann e quajti trajtimin e tyre nga mediat britanike “një skandal kombëtar”.

Ç’ndodhi me hetimet?

Të shumta ishin hetimet që u bënë kudo në Evropë nga policia britanike dhe u mbështetën edhe nga vetë familja McCann nëpërmjet punësimit të detektivëve privatë.

Hetimi që filloi në 2011-ën ka kushtuar më shumë se 11 milionë paund. Pavarësisht identifikimit të personave të dyshuar përgjatë viteve, çështja e Madeleine vazhdon të jetë ende e pazgjidhur.

Çështja ka qenë edhe subjekt i shumë dokumentarëve, duke përfshirë edhe një serial me 12 episode në Netflix, në 2019-ën. Serial i cili u kritikua nga prindërit e Madeleine, pasi sipas tyre pengonte hetimet.

Çfarë po ndodh tani?

Policia gjermane sapo ka shpallur një të dyshuar të ri – një 43-vjeçar gjerman, i cili po vuan një dënim të gjatë për abuzime seksuale me fëmijë. Ai është aktualisht nën hetim për vrasjen e 3-vjeçares.

“Christian B” udhëtoi rreth Portugalisë me një furgon kampingu dhe besohet se ka qenë në zonën ku po pushonte familja McCann, kur u zhduk Madeleine.

Policia britanike vazhdon hetimet, ndërsa Kate dhe Gerry McCann thonë se nuk kanë rreshtur kurrë së shpresuari. Ata e përshkruajnë pistën e fundit si “domethënëse’.

“Gjithçka që duam është ta gjejmë [Madeleine], të zbulojmë të vërtetën dhe t’i vendosim para drejtësisë përgjegjësit”, -është shprehur çifti gjatë një deklarate.

Share With:
Translate »
808 Views