“Për fëmijët lë çdo gjë, edhe fushatën zgjedhore” Erisa Xhixho mes mëmësisë dhe politikës
Një politikane, por edhe bashkëshorte dhe një nënë e angazhuar. Midis politikës, impenjimeve dhe familjes Erisa Xhixho ka arritur të gjejë balancat për të qenë pranë fëmijëve dhe bashkëshortit. Nënë e një djali dhe një vajze, ajo tregon se si ka arritur t’ia dalë mbanë pa lënë mënjanë angazhimet politike.
Për emisionin “Jeto me Orën” në TV Ora, Xhixho shprehet se të jesh nënë e angazhuar është më e vështirë në raport me burrat. Sipas saj, suporti familjar është ai që e ka ndihmuar të gjejë kohën për t’ia dalë mes politikës dhe pasioneve të saj pa lënë pas dore njerëzit më të shtrenjtë të jetës.
Xhixho: “Mendoj që nuk dalloj fare nga gratë e tjera që kanë po të njëjtat sfida. Si të gjitha gratë e Shqipërisë që punojnë, mbajnë familjen, mundohen të rriten profesionalisht nuk besoj se kam ndonjë bonus në këtë sens. Padyshim që të jesh nënë dhe të jesh e angazhuar është e vështirë në raport me burrat, duhet ta pranojmë këtë. Mendoj që ka një suport familjar, çdo gjë është një menaxhim, në momentet më të rëndësishme të fëmijëve mundohem të jem aty dhe të lë çdo gjë edhe fushatën elektorale. Dua që fëmijët e mi të kenë imazhin që mami dhe babi kanë qenë gjithmonë aty.”
E pyetur nëse bashkëshorti e mbështet, Xhixho u shpreh se ai e ka njohur kur ka qenë e angazhuar në politikë dhe të dy së bashku janë përpjekur të krijojnë balancat në jetë. Ajo rrëfeu se si çdo çift kanë pasur sfida edhe për faktin se dy fëmijët kanë diferencë të vogël në moshë, vetëm 2 vjet.
Xhixho: “Pa mbështetjen e familjes nuk mund të arrihen shumë gjëra. Enea më ka njohur kështu dhe bashkë mundohemi të suportojmë njëri-tjetrin. Mendoj që me mirëkuptimin e të dyve kemi gjetur balancat tona. Si çdo çift i ri edhe ne kemi pasur sfidat tona. Të dy fëmijët erdhën në një periudhë shumë të afërt, 2 vjeçare. Si të gjithë me orare të zgjatura, pa gjumë, me lodhje, me merakun tim që duke qenë se vajza erdhi shpejt mos i mungojë vëmendja djalit, por me kalimin e kohës jemi përshtatur me oraret e njëri tjetrit, por në fillim ka qenë shumë sfiduese. “
Pavarësisht angazhimeve në politikë, Xhixho tha se e gjen kohën për të qenë prezentë në momentet më të bukura të fëmijëve të saj.
Xhixho: “Jam organizuar, kam qenë gjithmonë me ritmin e kohës, por mundohem të jem prezente se është në parashkollor. Është kënaqësi më vete dhe janë momente që nuk dua t’i humb, të lidhin shumë me fëmijët dhe të krijojnë një raport shumë të bukur. Unë atë nuk dua ta kem vetëm djalë por ai duhet ta dijë që jam aty dhe e suportoj.”