Përhapja e hepatitit akut alarmon edhe autoritetet në Itali: Ç’dihet deri më tani për sëmundjen që prek fëmijët
Italia ka konfirmuar dy raste nga 11 raportime të bëra të hepatitit akut. Ministria e Shëndetësisë ka nisur të informojë qytetarët rreth qarkullimit të sëmundjes që prek fëmijët, në mënyrë që t’i ndihmojë të identifikojnë simptomat e sëmundjes.
“Raportoni rastet e dyshuara te Ministria dhe Instituti i Lartë i Shëndetit dhe mbani kampionë biologjikë për të bërë të mundur hetimet e nevojshme,” thuhet të njoftim ndër të tjera.
Sipas raportimeve, nuk është gjetur ende një lidhje mes infeksionit dhe vaksinës anti-covid. Fëmijët e prekur nga vala anormale e hepatitit janë ata të grup-moshës 1-5 vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar ende.
Fillimisht, Britania raportoi 10 raste të hepatitit të rëndë akut në Skoci më 5 prill, përpara se të raportonte gjithsej 74 raste në të gjithë vendin tre ditë më vonë.
Disa nga rastet ishin aq të rënda sa pacientët duhej të transferoheshin në njësitë e specializuara të mëlçisë për fëmijë, ndërsa gjashtë fëmijë iu nënshtruan transplantit të mëlçisë, tha OBSH në një deklaratë.
Infeksioni prekte kryesisht fëmijët nën 10 vjeç dhe simptomat përfshinin verdhëzën, diarrenë, të vjellat dhe dhimbjet e barkut.