“Përjetuam vdekjen e saj çdo çast”, Rozi Kostani rrëfen për muajt e fundit të jetës së nënës
Aktorja dhe regjisorja Rozi Kostani të cilën të gjithë e mbajnë mend si protagonisten e filmit shqiptar “Unë, ti dhe Kasandra” , ishte e ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku përveçse ka folur për teatrin dhe filmat ajo ka ndarë edhe disa momente nga jeta e saj.
Në intervistën “2+3” regjisorja ka rrëfyer dy momentet më të hidhura të jetës së saj. Këto dy momente kanë të bëjnë me largimin nga jetë të dy prindërve të saj, histori të cilat teksa Rozi Kostani i tregon pa mundur t’i mbajë emocionet.
Rozi ka treguar se kur mësoi sëmundjen e nënës së saj ajo u ndje e këputur dhe e pafuqishme, pasi kur mësoi se nëna e saj kishte vetëm pesë muaj jetë ajo përjetoi emocionin më të tmerrshëm në botë.
Rudina Magjistari: Jeta është e mbushur me kujtime dhe me histori, ka ulje-ngritjet e veta, cilat janë dy historitë e tua më të vështira, për të cilat të është dashur shumë fuqi, shumë kurajo, shumë energji për t’i superuar?
Rozi Kostani: E para, ka të bëjë me kur mora vesh sëmundjen e mamit, bëhet fjalë në 2017-ën. Kam provuar emocionin më të tmerrshëm në botë. Mora vesh që mami kishte një sëmundje të pashërueshme dhe që për pesë muaj ajo do largohej nga ne. Lajmi ka qenë…. Nuk e di ç’ndodhi me mua, por kisha nevojë vetëm për tokën! U këputa dhe rashë në tokë dhe doja vetëm të rrija aty, sepse ishte e vetmja, forca e gravitetit, e cila do më ndihmonte ta përballoja të qëndroja. Edhe tani kur e kujtoj ka atë lloj ndjesie të shkoj drejt tokës. Ky ka qenë proces i tmerrshëm që ti ta përtypësh dhe ta shikosh mamanë…
Rudina Magjistari: Dhe të jesh e pafuqishme…
Rozi Kostani: Të jesh e pafuqishme dhe për të mos e reflektuar kundrejt asaj, ajo vërtet jetoi pesë muaj dhe pastaj u shua, ne përjetuam, unë bashkë me dy vëllezërit dhe me motrën time, përjetuam vdekjen e saj çdo çast. Dhe humbja ishte një përcjellje drejt asaj drite që ne shpresojmë që ekziston.
Rudina Magjistari: Duke pasur parasysh, se ti ke pasur pesë muaj kohë për t’u përgatitur për atë çast, për atë finale të pashmangshme. Ndoshta ato 5 muaj je munduar të çmallesh sa më shumë, ta kesh sa më pranë të marrësh sa më shumë nga ajo. Mendon se momenti kur ti more vesh lajmin ishte më shokues se sa vetë ngjarja në vetvete?
Rozi Kostani: Kjo është e vërteta se unë e përjetova vdekjen në atë çast. Sepse ishte rrufe në qiell të pastër. Sepse ishte një sëmundje që u zbulua aty për aty dhe nuk kishte shenja. Ajo kishte një grip, nga një grip kaloi në të ftohur, pastaj u diagnostifikua me një sëmundje gjaku e cila nuk ka shpëtim, pesë muaj jetë. dhe ishte kështu….Ishte absurde, e paperceptueshëm dhe aty ndodhi vdekja për ne. Pastaj procesi tjetër ishte që ne të luanim, të aktronim dhe ta bënim atë që këto muaj të kalonte bukur, të përpiqeshim t’i plotësonim çdo dëshirë. Ne kemi dalë pa funde kemi shëtitur pothuajse gjithë Shqipërinë për herë të fundit me të. Por gjatë gjithë kohës ne shikonim ikjen e saj dhe jemi ndarë ndryshe me të.