“Pinjata”, loja për fëmijë që “josh” edhe të rriturit
Pinjata është një lojë e cila e ka origjinën nga Kina, aty ka filluar të praktikohet për herë të parë. Është loja e kutisë në ajër, ku fëmijët tentojnë ta hapin nëpërmjet një shkopi për të marrë ëmbëlsirat brenda saj. Teksa në botë është traditë, pinjata duket se edhe në Shqipëri po kthehet në trend.
E ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, Lorena Allko rrëfen punën e saj me pinjatat. Sipas saj, pinjata është kthyer në një mënyrë të re argëtimi, teksa shton se jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit e kërkojnë.
“Çdo pinjata personalizohet sipas dëshirës, personalizohet me emrin e fëmijës. Pinjata punohet me dorë, forma i jepet me karton, punohet me elemente të letrës, pjesa e zbukurimit printohet dhe ngjitet. Brenda pinjatës mund të futen lloje të ndryshme ëmbëlsirash, mund të jenë karamele, ose ëmbëlsira të ndryshme sipas dëshirës. Pinjatës i lihet një “xhep” i vogël që mund të shtohen brenda edhe ëmbëlsira të tjera, sipas dëshirës.
Koha që duhet për të punuar një pinjata, varet nga modeli, por pa përfshirë kohën e tharjes, shkon deri në 3-4 orë një punim i një pinjate. Ka dy modele pinjatash, ai me shkop dhe ai me fije. Ky i fundit është më praktik për fëmijët e vegjël.
Figura që vajzat pëlqejnë më shumë është ajo e Elsës, te djemtë është Spiderman dhe Sonic.
Sipas traditës, pinjata duhet të zgjasë pak si lojë, nuk duhet të mbyllet shpejt. Zakonisht në ditëlindje, pinjata duhet të bëhet para se të fryhen qirinjtë, që mos ti marrë hijeshinë momentit të tortës.
Pinjata e parë ka qenë “Micky Mouse”, është punuar me brumë sepse si njihja teknikat. Tharja më ka marrë shumë kohë dhe nuk ishte praktike. Ka edhe pinjata për të rritur, me modele të ndryshme,brenda tyre futen ëmbëlsira ose produkte të tjera sipas dëshirës”.