Plagë e kafshime, fakte për dhunimin e 12-vjeçarit në Qendrën e Rehabilitimit në Berat
“Fiks Fare” solli mbrëmjen e së hënës fakte të reja për dhunën që ushtrohet ndaj fëmijëve në Qendrën “Unë jam si ju”, në Berat.
Babai i një djali 12-vjeçar, Aleksandrit, denoncon në “Fiks Fare” Qendrën “Unë jam si ju” në Berat, duke treguar shenjat e dhunës së të birit, ndërkohë që gjatë bisedës me punonjësen, ajo pranon se fëmija kishte të paktën 24 orë pa ngrënë.
“Fiks Fare” sjell disa dëshmi nga kjo qendër, ku punonjës dhe praktikantë pranojnë dhunën që ushtrohet ndaj fëmijëve. Babai denoncues deklaron se, këtë çështje do ta dërgojë edhe në gjykatë.
Fortunato Boçi ka djalin e tij, Aleksandrin 12 vjeç, që vuan nga çrregullime të spektrit autik, por duke parë se në Berat është hapur një qendër për trajtimin e këtyre fëmijëve, së bashku me bashkëshorten e tij kishin vendosur që fëmijën ta dërgonin në atë qendër.
Fortunato Boçit iu drejtua emisionit “Fiks Fare”, për – siç shprehet, – “problemin e Qendrës së Zhvillimit në Berat Unë jam si ju”.
“Problemi qëndron se kjo qendër nuk është e aftë të zhvillojë djalin tim. Djali im dhunohet vazhdimisht dhe lihet pa ushqim. Ne si prindër sakrifikojmë dhe i kemi dërguar ushqim djalit në qendër për 3 muaj radhazi, deri më 3 shtator. Ankoheshim te drejtoresha sesi ishte e mundur që djali ynë flinte pa bukë. Punonjëset e institucionit na marrin në telefon e na thonë se djali është pa bukë, djalit i ka rënë të fikët. Vinim i jepnim djalit ushqim, djali dhunohej, i jepnim fotografitë drejtoreshës, nënkryetarit të Bashkisë Berat, por asnjë masë nuk merrej”, thotë babai.
Më tej, Boçi shprehet se djalin e lanë në qendër për t’u zhvilluar edhe më shumë, por këto zhvillime nuk i kanë parë asnjëherë. Madje, ata shihnin një ndryshim te djali i tyre, por për keq e jo për mirë. Ai kishte filluar të humbte shumë peshë dhe ndonjëherë ishte edhe agresiv, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
“Gjithmonë na thonin se çështja do zgjidhej, se kishte ndodhur atë radhë dhe nuk do të ndodhte më. Me këto fjalë na përcillnin”, shprehet Boçi.
Madje, drejtoresha u kishte kërkuar prindërve që të mos i çonin në mënyrë absolute ushqim nga jashtë djalit, pasi ai nuk po hante ushqimin e qendrës. Pas kërkesës së drejtoreshës, që prindërit të mos i çonin më ushqim Aleksandrit 12-vjeçar, në familjen Boçi ishte një javë heshtje.
Telefoni nuk u kishte rënë më nga punonjëset për t’u thënë se djali kishte ngrënë apo jo, siç bënin zakonisht. Në të vërtetë, 12-vjeçarit me çrregullime të spektrit autik, gjatë kësaja jave i kishte rënë të fikët dhe qendra po mundohej ta mbante në gjumë me gjilpëra.
Të dielën, prindërit kishin vendosur që pas kaq kohësh të vizitonin fëmijën e tyre dhe te porta ua nxori kujdestarja. Prindërit panë se djali sapo ishte zgjuar nga gjumi dhe ishte tepër i dobët. Kur e ëma e pyeti nëse kishte ngrenë, ai iu përgjigj negativisht. Përveç këtij fakti, në faqet e Aleksandrit dukeshin qartazi çjerrje, kurse në trup kishte shenja dhunë, si kafshime e të nxirra.
“Në këto momente nuk munda më, i kërkova llogari kujdestares, por ajo ia hodhi fajin turnit para saj. Nxora telefonin dhe e filmova. Kujdestarja na tha që djali, një ditë më parë kishte vjellë duke nxjerrë një byrek që ajo ia kishte dhënë. Më pas ai nuk kishte konsumuar asgjë”, shprehet Fortunato.
Madje po atë ditë, ai ishte vënë në dijeni se në qendër nuk kishte as mjek, pasi ai kishte marrë pushimet. I indijuar nga e gjithë kjo, babai i Aleksandrit kërkoi një takim me drejtoreshën, por kjo e fundit nuk e priti. I gjendur në këto kushte, ai bën hulumtimet e veta, ku merr vesh nga dy studentë që kishin punuar në qendër për dhunën që ushtrohej në këtë institucion.
Denoncimit të babit të fëmijës autik të dhunuar, i është bashkuar në emisionin “Fiks Fare” edhe një ish-punonjëse e kësaj qendre, e cila pak kohë më parë ishte larguar nga puna për shkelje të etikës, ndërsa kishte fituar gjyqin duke marrë 16 paga shpërblim për largim të padrejtë nga puna.
Ermere Nallbani, ish-punonjëse e Qendrës “Jam si ju” në Berat, tregon sesa keq drejtohej ky institucion nga njerëz të paaftë dhe të paspecializuar.
“Kam 23 vite pune. Kur u futa, jam futur pasi jam trajnuar dhe specializuar nga specialistë anglezë që kishin ardhur në vendin tonë. Me të marrë detyrën, ministri Blendi Klosi testoi të gjithë punonjësit për standardet dhe kjo drejtoreshë nuk e ka marrë provimin. Drejtoresha Alda Shulla më ka nxjerrë nga puna për arsye etike, pasi unë ngrija problemet që kishte qendra. Aty ka ndodhur që janë dhunuar fëmijët, ndërsa drejtoresha e institucionit e ka mbyllur pa bërë problem personin që kishte dhunuar fëmijët”, pohon ajo.
“Duke dëgjuar ngjarjen vajta në mbështetje të personit, pasi unë i dija problemet që ndodhnin në atë qendër. Aty janë 11 kujdestare dhe 3 specialistë socialë, të cilët nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Kam qenë në punë dhe e kam ngritur si problem, drejtoresha më ka larguar nga puna, duke më thënë se nuk më duhej gjë mua çfarë bënin punonjësit në atë qendër. Dhe përfundimi, ja ku jemi sot”, përfundon Nallbani.