Po luante me top në oborrin e shkollës, por e zunë poshtë inertet, përfundon me urgjencë te Trauma i mituri
Ngjarja është shënuar në oborrin e shkollës, ndërkohë përballë saj po bëhet rikonstruksioni i plotë i ish-shkollës së vjetër Bajram Curri (po kthehet në shkollë profesionale). Fëmija ka qenë në oborr duke luajtur me top. Nxënësi ka tentuar të marrë topin e rënë pranë kantierit të ndërtimit, ndërsa papritur materiale inerte i kanë rënë nxënësit në trup, ndërkohë është dërguar nga mësues dhe nxënës në urgjencën e spitalit të Kukësit. Më pas është dërguar në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar.
Sipas burimeve, në zonën e punimeve mungonin masat e duhura të sigurisë teknike dhe është bërë sot izolimi i plotë i kantierit.
Ndërkohë, ngjarja ende nuk është raportuar zyrtarisht nga Policia e Kukësit.
Nga ana tjetër, Inspektoriati i Punës ka ndërhyrë menjëherë duke bllokuar punimet në godinë dhe duke vendosur shiritat e sigurisë, për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe masave mbrojtëse në kantier.